Shtetet e Bashkuara kanë anuluar programin prej 500 milionë dollarësh për trajnimin dhe armatosjen e rebelëve të moderuar sirianë në luftën kundër Shtetit Islamik, në një tjetër lëvizje që – siç shprehen analistë, – nënvizon dështimet e Perëndimit teksa Rusia ka ndërmarrë nismën e një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë ushtarake në mbështetje të Bashar al-Assadit.
Zyrtarë të Pentagonit priteshin ta njoftonin zyrtarisht fundin e këtij programi këtë të premte, pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, u largua nga Londra pas takimeve me homologun e tij britanik, Michael Fallon, në lidhje me konfliktet në Siri dhe Irak. Lajmi raportohet nga “New York Times”.
Programi ishte elementi më i dukshëm i mbështetjes amerikane për grupet e opozitës siriane, por deri më sot ai kishte pësuar disa pengesa shqetësuese. Muajin e kaluar është parë qartë se bazuar mbi këtë program janë trajnuar vetëm 4 apo 5 luftëtarë brenda Sirisë, ndërsa disa të tjerë u janë dorëzuar grupeve rivale, duke lëshuar edhe armët, me të kaluar kufirin nga Turqia. Ndërkohë që disa programe të tjera mbuluese janë duke u ndërmarrë nga CIA.
Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Mbrojtjes tha se nuk do të ketë më rekrutime të rebelëve të opozitës së moderuar siriane, të cilët do të mund të stërviteshin përmes këtij programi në Jordani, Katar, Arabinë Saudite apo në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në vend të këtyre, do të krijohet një qendër stërvitore shumë herë më e vogël në Turqi, ku një grupi të vogël projektuesish, shumica udhëheqës të grupeve të opozitës, do t’u mësohen metoda operacionale gjatë sulmeve ajrore.
Ndërkohë, forcat ajrore të Rusisë kanë bombarduar 60 objektiva të Shtetit Islamik në Siri përgjatë 24 orëve të fundit, si dhe kanë vrarë rreth 300 militantë xhihadistë, në atë që Ministria ruse e Mbrojtjes e quajti këtë të premte si ofensivën më intensive që prej nisjes së fushatës së saj në Siri, 10 ditë më parë.
Gjatë njoftimeve të ditëve të kaluara, Moska kishte raportuar goditjen e rreth 10 objektivave në mënyrë të përditshme, ndaj dhe rritja e intensitetit të sulmeve ajrore raportohet të ketë për qëllim parandalimin e rigrupimit të militantëve apo shpërndarjen e tyre në zonat e populluara nga civilë, shton më tej ministria në fjalë.
Sipas deklaratës së Ministrisë ruse të Mbrojtjes, avionët e forcave ajrore përdorën predha të precizionit të lartë “KAB-500” për të shkatërruar selinë e grupit të militantëve “Liwa al-Haqq”, në provincën siriane të Raqqasë. Duke cituar komunikime të përgjuara radiofonike, ministria shtoi se nga sulmi kanë mbetur të vrarë dy komandantë të lartë të Shtetit Islamik, si dhe rreth 200 militantë.
“Liwa al-Haqq” nuk ka lidhje me Shtetin Islamik, ndaj dhe është ende e paqartë se çfarë ishin duke bërë dy komandantë të lartë forcash tokësore të ISIS-it në bazën e atij grupi. Megjithatë, veç saj, janë shkatërruar edhe një bazë e Shtetit Islamik dhe një depo municionesh, që ishte ngritur në një ish-burg pranë Aleppos, duke vrarë edhe 100 militantë të tjerë. (tch)