Dështimi i drejtuesve të partive politike që ta përfundojnë reformën zgjedhore, e cila ka nisur në vitin 2011, ia ka “shtuar” edhe një të “zezë” Kosovës në Raportin e Progresit të sivjetmë.
Në dokumentin që Komisioni Evropian për çdo vit tregon për të arriturat dhe dështimet e Kosovës pothuajse në çdo fushë, këtë vit është përmendur dështimi i institucioneve dhe partive politike në Kosovë që ta përfundojnë reformën zgjedhore.
Në fakt, jo vetëm që reforma s’ka përfunduar, por Kosova së shpejti do t’i ketë zgjedhjet lokale, të cilat organizohen tërësisht me legjislacion dhe “model” të vjetër, i cili, siç dihet, nuk ishte treguar adekuat për të ndalur keqpërdorimin e procesit zgjedhor, shkruan “Zëri”.
“Kosova duhet ta përfundojë procesin e reformës zgjedhore që ka filluar në vitin 2011. Duhet të sigurohet që korniza ligjore për zgjedhje t’i reflektojë praktikat më të mira të BE-së”, thuhet ndër të tjerat në Raportin e Progresit, të publikuar pak ditë më parë, ku theksohet se Bashkimi Evropian pret që të bëhet zbatimi i ligjeve me standarde ndërkombëtare.
Përveç dështimit në reformën zgjedhore, në Raportin e Progresit thuhet gjithashtu se Kosova nuk i ka punët mirë me reformën e administratës publike, dhe se kjo administratë është nën kontrollin e qeverisë.
Njohësi i Integrimeve Evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se ndonëse janë ndërmarrë disa reforma në Ministrinë e Tregtisë dhe e Industrisë dhe ajo e Integrimit Evropian, që ka mundësuar fillimin e negociatave për MSA-në, Raporti i Progresit në shumë fusha tjera dëshmon se sa keq i ka punët Kosova.
“Kosova i ka pasur dy-tre vite për ta përfunduar këtë reformë, por partitë politike thjeshtë e kanë vënë interesin e tyre para interesit të Kosovës dhe nuk e kanë përfunduar atë”, thotë Muharremi, duke shtuar se deri në një masë ky fakt krijon imazh të keq për shtetin e Kosovës.
Ndërkaq, drejtori i organizatës Demokracia për Zhvillim (D4D), Leon Malazogu, thotë se është pritur që Raporti i Progresit do ta përmend dështimin e institucioneve dhe partive politike karshi reformës zgjedhore, përkatësisht, dështimit të saj.
“Nëse Kosova i dëgjon këshillat e BE-së nuk duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme derisa nuk e përfundon reformën zgjedhore, dhe vetëm pasi ta përfundojë duhet të shkojë në zgjedhje të lira”, thotë Malazogu, derisa i komenton vërejtjet e Raportit të Progresit për dështimin e reformës zgjedhore.
Megjithatë, ai thekson se aq sa ka përgjegjësi pala kosovare në dështimin e reformës zgjedhore, aq ka edhe vetë bashkësia ndërkombëtare.
“Mendoj se ka shumë fajtor, nuk është vetëm një, përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare pjesërisht, sepse, në fillim e morën në përgjegjësi që ata ta bëjnë një farë mënyre, dhe e morën në një farë mënyre kontrollin më shumë se që duhet. Mendojë se kanë marrë leksion dhe tani e vërejnë se reforma s’mund të bëhet me teknokrat të BE-së, por duhet të bëjmë reformë thelbësore të shtyrë nga kosovarët, dhe mendojë se edhe ata e kanë kuptuar këtë dhe kërkojnë që ne ta marrim rolin e udhëheqësit”, thotë ai.
Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se dështimi i reformës zgjedhore përmendet në dokumentin e BE-së, siç thotë ajo, në radhë të parë për shkak të shkeljeve të shumta në zgjedhjet e kaluara.
“Natyrisht që nëpërmjet reformës zgjedhore tentohet që të gjinden mjete që deri diku të eliminohen metodat e tilla të abuzimit. LDK-ja e ka dhënë kontributin e vet në këtë drejtim dhe vazhdimisht ka insistuar që ndryshimet që bëhen në ligjin zgjedhor të shkojnë pikërisht në këtë drejtim, pra, mos të ketë ndryshime kozmetike, por të jenë ndryshime të tilla të cilat mundësojnë që qytetarët të votojnë konform vullnetit të tyre të lirë dhe jo të imponuar nga dikush, apo dikush tjetër të votojë për ta”, nënvizon ajo.
Sipas saj, paria më e madhe në vend, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komisioni Qendror Zgjedhor, janë fajtorët kryesor që ka dështuar reforma, ngase, PDK-ja e ka bllokuar reformën, ndërsa MPB-ja dhe KQZ-ja nuk janë duke i pastruar listat zgjedhore nga personat që kanë vdekur.