Skenat e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe shprehja e vazhdueshme e pakënaqësisë nga ana e opozitës, për njohësit e rrethanave politike janë të orkestruara. Ata thonë se këto veprime po bëhen me qëllim të inicimit të zgjedhjeve të reja.
Por, pa pajtimin e opozitës dhe shteteve të Kuinitit, sipas tyre, opozita e ka të vështirë ta arrijë këtë qëllim.
“Në Kosovë, zgjedhjet e kanë edhe një element shtesë, pasi ato duhet të bekohen nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët në këtë rast janë kategorikisht kundër. Edhe ambasadori i Amerikës, edhe ambasadorja e Gjermanisë, janë kategorikisht kundër zgjedhjeve të reja”, ka thënë Artan Muhaxhiri, në një prononcim për RTV21, duke theksuar se ky element ia vështirëson punën opozitës.
Sipas tij, opozita, qëllimin e vet për zgjedhje të parakohshme do të mund ta arrinte vetëm duke organizuar një protestë masive me mbi 50 mijë qytetarë, që do t’i jepte kredi morale opozitës për të kërkuar zgjedhje.
As në Lëvizjen FOL, opsioni i zgjedhjeve nuk është në tavolinë. Ata thonë se për mbajtjen e tyre duhet pëlqimi i PDK-së.