Lajmet e fundit

SKANDAL || Anëtarët e Bordit të AKP-së, në kundërshtim me Ligjin! (Dokument)

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, kanë bërë shkelje ligjore me rastin e propozimit të tetë anëtarëve të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Fillimisht, ishte kryeministri i vendit, Isa Mustafa ai i cili në kundërshtim me ligjin i propozoi Kuvendit, tetë emra për anëtarë të këtij bordi, (ku sipas ligjit për AKP-në, ai kishte të drejtë që t’i emëronte 5 vendor e 3 ndërkombëtarë) dhe pastaj ishte Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ai i cili bëri shkeljen e ligjit me aprovimin e këtyre kandidatëve.

Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime të afërta me Qeverinë e Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, koalicioni PDK- LDK, duke u munduar që të “mbuloj” shkeljen ligjore që kishin bërë me këta tetë kandidatë kundërligjor, e detyrojnë Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri që të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme, dhe atë pas kërkesës së kryeministrit Mustafa. Sipas këtij burimi, tre ditë para kësaj mbledhje, Komisioni kishte aprovuar këta 8 emra për anëtar të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Mirëpo, ligji parashihte që Kuvendi të miratojë vetëm 5 emra vendor dhe 3 të tjerë të ishin anëtarë ndërkombëtarë.

“Detyra ishte e qartë, duhej që me një mbledhje të jashtëzakonshme të miratohej ndryshim-plotësimi i Ligjit për AKP-në në mënyrë që Komisioni në një formë të përmirësonte shkeljen që kishte bërë vetëm tre ditë më parë”, thekson ky burim.

Qeveria e Kosovës me Vendimin e datës 30 tetor 2015, ka emëruar për anëtar të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit këta kandidat:

  1. Petrit Gashi
  2. HasimeMazreku
  3. HamdiJaha
  4. SkenderKomoni
  5. IsmailJanuzi
  6. Haxhi Arifi
  7. RankoDjokic
  8. Bajram Zejnullahu

KËTU E GJENI VENDIMIN E QEVERISË SË KOSOVËS, NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN

Sipas këtij burimi, vendimi për të emëruar tetë (8) anëtarë vendor të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ishte i paligjshëm sepse binte në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përkatësisht Nenit 12 të tij dhe nenit 4 të Ligjit Nr. 04/L-115 për Plotësim Ndryshimin e Ligjit Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Sipas këtij plotësim ndryshimi, Qeveria duhej të propozonte tre anëtarët ndërkombëtar të Agjencisë të cilët do të zgjedheshin nga ana e Kuvendit.

Me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur në shtator të vitit 2012, pësoi ndryshime Ligji Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Megjithatë, këto ndryshime nuk preknin aspak pjesën e emërimit të anëtarëve të bordit të AKP-së. Ndryshimet ligjore përfshinë vetëm tre nene dhe vetëm sqaruan çështjen e dhomës së posaçme të Gjykatës Supreme. Pra, ligji në fuqi i ndalonte Qeverisë të emërojë tetë kandidatë pa qenë tre prej tyre ndërkombëtar. Kjo gjë, ka vënë në lajthitje deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të cilët i votuan këta emra në Komision para se të vinte në Kuvend Ligji që krijon bazën ligjore për një emërim të tillë.

Muhamet-Mustafa-LDK1

Mirëpo, kështu nuk mendon Muhamet Mustafa, i cili e drejton Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Ai i ka thënë Gazetës Blic se mbledhja urgjente e komisionit që drejtohet nga ai, nuk është bërë me qëllim që të mbuloj shkeljet ligjore të qeverisë dhe të komisionit.

“Po, mbledhja ishte e jashtëzakonshme, pasi që pritet që Bordi të emërohet në seancën e ardhshme të Kuvendit, shpresoj këtë javë. Andaj, pasi kemi marrë propozimin e Qeverise për një materie që kryesisht e rregullon një çështje teknike, kemi dashur që kjo të zgjidhet sa më shpejtë dhe Bordi i AKP-së të bëhet menjëherë operacional.  Pra, iluzioni se po mbulojmë shkelje, është gogja absurd, dhe mund t’ju them se nuk ka asnjë praktikë në Komision që ka dashur të mbuloje shkelje, përkundrazi!”, tha ai.

Ai ka thënë për Gazetën Blic se me pakon e Ligjeve që janë aprovuar me rastin e heqjes së pavarësisë së mbikëqyrur është përcaktuar se nuk duhet të ketë më anëtarë ndërkombëtarë në Bordin e AKP-së, pas përfundimit të mandatit të atyre që kanë qenë në këtë funksion në Bord. Megjithatë, sipas Mustafës, në Ligjin mbi AKP-në, ka mbet në fuqi një dispozitë se vendimi është valid, vetëm nëse voton së paku një anëtarë ndërkombëtar.

“Sektori Ligjor në Qeveri e ka interpretuar, se nuk është e nevojshme të ndryshohet edhe Ligji mbi AKP-në, duke e konsideruar të mjaftueshme, pakon që ka hequr dispozitat lidhur me pavarësinë e mbikëqyrur. Së pari, dispozita që ju e përmendni ka të bëjë me forumin dhe mënyrën e  marrjes së vendimeve. Prandaj, ne nuk kemi bërë shkelje Ligji, kemi aprovuar përbërjen e re të Bordit. Dhe për të mundësuar që Bordi të funksionojë normalisht, të krijoj forum dhe të merr vendime, i kemi sugjeruar Qeverisë që të sjell ndryshimet e Ligjit të AKP-së, për këtë çështje dhe qeveria ka reaguar menjëherë”, ka theksuar Mustafa.

Në këtë bord janë emëruar njerëz si Skender Komoni, i cili ka qenë zëvendës kryesues i bordit të drejtorëve në kohën kur Kuvendi i Kosovës nuk i kishte miratuar dy herë raportin vjetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.