Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka filluar t’i hakmerret kryetarit të Degës së LDK-së në Prizren Haxhi Avdylit, i cili nuk e kishte votuar për kryetar të partisë.
Burime brenda kësaj partie ka marrë vesh se ishte pikërisht i pari i LDK-së, njëherësh kryeministri i vendit, ai i cili ka kërkuar nga delegatët e Degës në Prizren që të fillojnë me mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Avdylit.
“Që nga Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, kur Haxhi Avdyli e mbështeti kundërkandidaten e Isa Mustafës, Vjosa Osmanin, ka filluar t’i hakmerret atij. Fillimisht e la jashtë Këshillit Drejtues, e pastaj edhe jashtë Kryesisë së Partisë. Ndërsa, tash po i mbledh nënshkrimet për shkarkimin e tij”, ka thënë ky burim brenda LDK-së.
Në anën tjetër, fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve nga delegatët për shkarkimin e Haxhi Avdylit, për Gazetën Blic e ka konfirmuar njëri nga delegatët e kësaj partie, Selajdin Fana. Ai i ka thënë Gazetës Blic se ai e ka nënshkruar sot iniciativën për shkarkimin e Haxhi Avdylit.
“Po, ka filluar një iniciativë për shkarkimin e Avdylit. Unë personalisht jam i pakënaqur me punën e tij, dhe sot e kam nënshkruar atë iniciativë”, ka thënë Fanaj. Megjithatë, sipas tij kjo iniciativë nuk ka ardhur e nxitur nga qendra, por nga delegatët dhe kryetarët e nëndegëve.
Në anën tjetër, Anton Quni deputet i LDK-së dhe njëherësh anëtar i Degës së kësaj partie në Prizren, ka thënë për redaksinë se nuk ka informacion për një iniciative të tillë.
“Nuk e kam as edhe një informatë për një iniciativë të tillë. Nuk kam koment”, i ka thënë ai Gazetës Blic.
As sekretari i Degës së LDK-së në Prizren, Fatmir Memaj, i cili sipas burimeve është njëri nga iniciatorët për shkarkimin e Avdylit, nuk ka dashur të prononcohet për një gjë të tillë.
“Më vjen keq, nuk jam adresa e duhur për këtë çështje, po të isha do t’ju përgjigjesha pa asnjë hezitim!”, ka thënë ai .
Në anën tjetër, vetë kryetari i Degës, Haxhi Avdyli i kontaktuar nga Gazetari ka thënë se një iniciativë e tillë mund ta bëjnë vetëm armiqtë e LDK-së. Ai ka theksuar elektorati i LDK-së e ka blerësuar lartë punën e degës.
“Këto iniciativa të mjegullave mund t’i bëjnë vetëm armiqtë e LDK-së. Nuk dua të besoj që kjo vjen nga njerëz kredibil që duan LDK-në, por njerëz të dështuar e cila apriori është e destinuar të dështoj. Elektorati i LDK-së është duke vlerësuar lart punën tonë në degë”, ka thënë ai .
Gazeta ka marrë vesh se iniciatorët e dirigjuar nga Isa Mustafa kanë filluar derë më derë mbledhjen e nënshkrimeve të delegatëve për shkarkimin e Avdylit.
“Disa delegatëve po u premtohet edhe përfitime, vetëm e vetëm që të mblidhen nënshkrimet e duhura për shkarkimin e Avdylit”, ka thënë një burim brenda LDK-së.
Haxhi Avdyli kishte ardhur në krye të LDK-së në Prizren në një kohë kur kjo degë ishte ndarë në disa fraksione. Ardhja e tij e kishte mbështetjen e vazhdueshme të lidershipit të partisë dhe shihej si njeriu i vetëm i cili do të mund ta rikthente këtë parti si të parën në Prizren. Mirëpo hyrja në koalicion e LDK-së me PDK-në dhe mbështetja që Avdyli i dha kundërkandidates së Isa Mustafës për kryetare të LDK-së, Vjosa Osmanit, bëri që lideri i kësaj partie të filloj hakmarrjen.