Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami vazhdon të tregohet shumë e “zonja”. Ajo në listën e Fondit për kuadro në ministrinë të cilën e drejton ka futur shumë njerëz që nuk e meritojnë fare të jenë pjesë e asaj liste.
Burime të Gazetës Blic brenda MTI-së kanë theksuar se nga kjo listë prej rreth 30 zyrtarëve të MTI-së, vetëm 5-6 prej tyre meritojnë të jenë pjesë e këtij Fondi.
Sipas këtyre burimeve, Bajrami në këtë listë ka futur edhe drejtorë, që ajo i ka akuzuar në vazhdimësi për shkelje të shumta. Madje, Gazeta Blic ka siguruar edhe letërkëmbimet ndërmjet Bajramit dhe drejtorit Irfan Lipovica, ku ministrja shprehet e pakënaqur me punën e tij. Megjithatë, Bajrami e futë në këtë listë edhe këtë drejtor.
Bajrami nuk është ndalur me kaq. Ajo në këtë listë ka futur edhe një të afërm të familjes. Sipas burimeve bëhet fjalë për Bastri Sallahun, i cili është dhëndër i familjes Bajrami.
Ministrja e cila gjatë kohës sa LDK ishte në opozitë e kritikonte shumë ashpër PDK-në dhe Hashim Thaçin për qeverisje të keqe, si përfitues në Fondin për Kuadro e ka futur edhe një militantë të LDK-së. Bëhet fjalë për djalin e vëllait të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Artan Demolli.
Sipas këtyre burimeve, Demolli ka të përfunduar studimet Bachelor në Kolegjin “Dardania”.
Gjithnjë sipas këtij burimi, nga ky Fond kanë përfituar edhe disa nga drejtorët që bën shkelje të shumta ligjore dhe disa që nuk kanë as diploma të nostrifikuara./ Gazeta Blic