Dje shkruajtëm se presidenti i FSHF-së, Armand Duka, po kalon pushime luksoze në një ishull në Oqeanin Indian.
Vetë kreu i futbollit shqiptar ka hedhur foto të ndryshme në Instagram, duke pirë lëngje ekzotike, apo duke rrëshqitur nëpër një litar të tendosur, për adrenalinë.
Po ashtu, mësohet se i është nënshtruar një diete dhe aktiviteti fizik, duke humbur disa kilogramë nga pesha e tepërt.
Bashkë me familjen e tij, gruan, djalin dhe vajzën, Duka po rrëzitet në ishullin ekzotik, Mauritius. Interesant është fakti se fotot e tij në rrjetet sociale kanë qenë shumë të klikuara, por edhe ato në faqen personale në Instagram, ku presidenti i FSHF-së ka zbuluar përmes celuloidit se ku ndodhet. Disa nga ndjekësit e tij e kanë uruar për vitin e ri, për mbarësi në jetë dhe në detyrën që mban, ndërsa ka pasur të tjerë që e kanë ofenduar, transmeton telesport.
Një komentues (the_snake_01) e ka provokuar Dukën me shënimin që i ka lënë: “Me lekët tona”. Këtu nënkuptonte paratë që po harxhon në këto pushime, të cilat, sipas tij, rrjedhin nga korrupsioni që përflitet në futbollin shqiptar, sidomos në ekipet kombëtare, “çatia” e të cilëve është FSHF-ja dhe Armand Duka.
Ky i fundit ka dalë jashtë staturës së një drejtuesi të lartë, ka humbur qetësinë dhe etikën, duke replikuar në mënyrë jo fort të zakonshme.
Presidenti i FSHF-së i ka dhënë këtë përgjigje komentuesit të mësipërm “Me të tuat, apo të mamit tat”.
Pra, edhe ai ka pasur fjalën për lekët, me të cilët Duka po kalon ditët e pushimeve në këtë vend ekzotik. Natyrisht, të dyja palët kanë dashur t’i japin idenë e shakasë, të të qeshurës, sepse komentet e tyre i kanë shoqëruar nga pas me një “haaaahaaa”. Madje, sot Duka i ka fshirë të dyja komentet në fjalë nga Instagrami i tij.