Trajtimi fyes i padive për dëmet e luftës në Kosovë.një vendim i Gjykatës së Prishtinës e vlerëson të palejueshme padinë për kompensim dëmi kundër Republikës së Serbisë
“Është e pakuptueshme se si nuk qenka e lejuar një padi për një dëm, i cili është shkaktuar nga lufta dhe është e drejtë garantuar për kompensim edhe me konventat ndërkombëtare, me të cilat njihet e drejta për kompensim të dëmit. Kjo e drejtë njihet edhe me ligjet tona në fuqi, të cilat e njohin të drejtën e kompensimit të dëmit për qytetarët, si e drejtë elementare materiale, qoftë nga personi fizik apo juridik”, tha profesor Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”
I njorimi pa fund i dëmeve të luftës nga ana e Qeverisë së Kosovës, që nuk ka kurajë t’i bëjë temë të bisedimeve më palën serbe në Bruksel, dhe interferimi negativ në gjykatat vendore në shqyrtimin e padive individuale nga qytetarët, që po hidhen si të palejueshme, nga njohësit e fushës së sundimit të ligjit cilësohet sinjal tepër i dëmshëm që shkon në favor të kriminelëve serbë dhe kundër së drejtës së garantuar edhe me konventa ndërkombëtare për kompensimin e dëmeve të luftës nga një shteti okupator. Interferimet e paligjshme në gjykata, në rastet e padive për dëmet e luftës, që dyshohet se vijnë nga Ministria e Drejtësisë, KGJK-ja dhe Gjykata Supreme, janë duke pamundësuar realizimin e çdo të drejte të qytetarëve të dëmtuar për realizimin e kompensimit të dëmeve të luftës. Profesori i së drejtës Riza Smaka, tani në pension, rikujton faktin se çështjen e kompensimit të dëmeve të luftës Qeveria e Kosovës është duke e neglizhuar pa të drejtë. “Unë, edhe kur kam qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, e kam ngritur këtë si çështje në Parlament, si një nga shqetësimet më serioze të qytetarëve, që të trajtohet pa vonesë dhe me shumë prioritet, sepse ato dëme të luftës për secilin duhet të kompensohen dhe duhet të iniciohet procedura për zhdëmtim dhe rimbursim të të gjitha dëmeve të luftës. Sidoqoftë, dëmet e luftës janë të atilla që nuk mund të vjetërsohen dhe të dëmtuarit gjithmonë kanë të drejtë për të kërkuar kompensim dhe rimbursim të tyre, mirëpo është një çudi e madhe dhe shumë ironike që unë në këtë çështje të ngritur si deputet kam pas mbetur pa asnjë përgjigje as nga kryeministri i asaj kohe dhe as nga ministri i resorit përkatës, ai i Drejtësisë e kështu me radhë”, tha Prof. Smaka për “Kosova Sot”.