I ikur nga drejtësia e Kosovës, Xhabir Zharku e ka festuar 28 Nëntorin në një manifestim që është organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptare e Suedisë, që është pjesë e Ministrisë së Diasporës.
KTV-ja merr vesh se ai është ftuar aty nga udhëheqësit e kësaj organizate qeveritare.
Ministria e Diasporës ka thënë se të gjitha aktivitetet janë të hapura për të gjithë bashkë-atdhetarët.
Zharku shihet në këto fotografi, ndërsa stema e Qeverisë së Republikës së Kosovës i rri mbi kokë të dënuarit Zharku.
Në fotografitë e manifestimit shihet vazhdimisht edhe Hajdin Abazi, ish-zëvendësministër i Kulturës nga PDK-ja.
Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Diasporës ka thënë: “Qendrat Kulturore në Diasporë janë të themeluara nga Ministria e Diasporës dhe janë në shfrytëzim edhe nga diaspora shqiptare gjithandej, ku në raste të caktuara bëhen edhe promovime të librave e ekspozita të pavarura në hapësirat e qendrave. Sipas ligjit, ato funksionojnë duke u bazuar në legjislacionin e vendeve, ku janë të themeluara dhe gjithashtu të gjitha aktivitetet janë të hapura për bashkatdhetarët, por edhe për vendasit, prandaj nuk ka selektim te dera kush guxon e kush nuk guxon të futet në këto aktivitete.”