Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë një vendim skandaloz në lidhje me përcaktimin e lartësisë së pagës mujore për ndihmë sociale, sipas numrit të anëtarëve të familjes.
Sipas këtij vendimi të Qeverisë të datës 17 nëntor të këtij viti, rastet sociale e kanë të pamundur ta sigurojnë edhe bukën e gojës me paratë që ua ndanë Buxheti i Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila udhëhiqet nga Arban Abrashi, shkruan portali INFOKUSI.
Sipas këtij vendimi, një familje 15 anëtarëshe për një muaj do të marrë vetëm 150 euro pagë mujore, përkatësisht 5 euro në ditë, raporton INFOKUSI.
Në bazë të një kalkulimi të thjeshtë del se çdo anëtarë i familjes i ka në dispozicion vetëm nga 30 cent në ditë në emër të ndihmës sociale, të cilat mjete nuk i mjaftojnë as për bukën e gojës e lëre më për shpenzime tjera. Përderisa për familjet që i kanë 10 anëtarë, në emër të ndihmës sociale u takojnë vetëm 118 euro në muaj.
Ky është ndër vendimet më skandaloze të Qeverisë, për kategorinë më të ndjeshme, familjet e varfëra, të cilat vazhdojnë të përballen me varfërinë ekstreme, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të zyrtarëve qeveritarë se do t’ua përmirësojnë kushtet.
Derisa për familjet e varfëra ndahen shuma të vogla të parave, zyrtarët e institucioneve të Kosovës vazhdojnë të shpenzojnë miliona euro në luks. /INFOKUSI.COM