Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, u ka ikur organeve të rendit dhe ligjit, të enjten, teksa po bastiseshin komuna dhe shtëpia e banesa e tij, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Gjatë tërë kohës ai e ka pasur të fikur edhe telefonin.
Burime të gazetës “Koha Ditore” brenda Policisë së Kosovës kanë thënë se, përveçse Bashota nuk është gjetur as në Komunë e as në shtëpi, për të edhe familjarët kanë thënë se nuk dinë gjë.
“Deri në orët e vona, policia ka bërë përpjekje për të mësuar vendndodhjen e tij. Kur janë bastisur shtëpia e banesa e tij në Prishtinë, familjarët na kanë thënë se ‘nuk e dimë ku është’. As telefoni nuk i ka bërë tërë kohën. Jemi siguruar nëse e ka kaluar edhe kufirin, por këtë nuk e ka bërë”, ka thënë ky burim, duke shtuar se Bashota vazhdon të jetë në kërkim.
Ai, bashkë me katër zyrtarë të tjerë: menaxherin e prokurimit në këtë komunë, Abaz Foniqi; shefin e personelit, Xhavit Dauti, drejtoreshën e Departamentit të Kulturës, Kristinë Lazri, si dhe shoferin e familjarin, Zenel Bashota, po dyshohen për veprat penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe konflikt interesi.