Lajmet e fundit

Sokoli i Qeverisë: Ekonomia e Kosovës s’është në gjendje të keqe!

Pavarësisht kritikave të shumta dhe gjendjes së rëndë ekonomike në vend, një zyrtar i Qeverisë mburret ne punën e bërë. Është ky Sokol Havolli, Shef i Kabinetit të Kryeministrit. Sokoli i Qeverisë.

Qysh në fillim të vitit 2015, Qeveria e Kosovës kishte paraqitur programin e saj qeverisës për katër vitet e ardhshme, ku si prioritet kryesor kishte vënë zhvillimin ekonomik.

Disa nga pikat e këtij programi të Qeverisë në aspektin ekonomik, kishin referenca kohore të realizimit, por shumica prej pikave konsiderohej të realizoheshin brenda një periudhe katërvjeçare.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në kohën kur kishte bërë publik programin e Qeverisë, ishte shprehur i bindur se prioritet e vëna në këtë program, do të përmirësonin jetën e qytetarëve të vendit.

“Ky është program i zhvillimit. Program i shpresës për një jetë më të mirë. Për stabilitet familjar dhe për mirëqenie të çdo njeriu. Vlera dhe objektivi themelor i këtij programi është një vend pune, një njeri i punësuar, një familje e sigurt ekonomikisht”, kishte deklaruar kryeministri Mustafa.

Pas një viti të publikimit të këtij programi, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë të jenë të kënaqur me përmbushjen e planeve që i kanë pasur në aspektin ekonomik.

Sokol Havolli, shef i kabinetit dhe këshilltar për ekonomi në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se cilat nga pikat e programit qeverisës janë realizuar.

Sipas tij, ka pasur zhvillime konkrete në ndryshmin e politikave fiskale, të cilat kanë pasur për qëllim përshpejtimin e normës së rritjes ekonomike dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës.

“Është arritur marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili ka siguruar stabilitetin e buxhetit dhe ka siguruar edhe rritje të shpenzimeve në kategoritë kapitale. Kjo marrëveshje ka krijuar hapësirë që në katër vitet e ardhshme qeveria të ketë mundësi të investojë deri në 400 milionë euro shtesë në investime kapitale”, ka shtuar Havolli.

Si e arritur tjetër gjatë këtij viti, Havolli ka theksuar edhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Po ashtu, sipas Havolli, gjatë vitit 2015 ka pasur lëvizje konkrete dhe është avancuar projekti për termocentralin “Kosova e re”.

Një ndër fushat kryesore ekonomike, të cilat janë përkrahur gjatë vitit që lëmë pas, ishte bujqësia.

“Sektori i bujqësisë ka pasur një rritje të konsiderueshme të granteve për subvencione, që konsiderohet se ka qenë faktori që do të ndikojë domosdoshmërisht në rritjen e prodhimit. Është aprovuar në Qeveri Ligji për garantimin e kredive që është një ligj, i cili përbën shtyllën e parë të Fondit për investim dhe punësim, i cili pritet të gjenerojë rreth 360 milionë euro efekt në ekonomi për gjashtë vjet dhe 20 mijë vende pune”, ka thënë Havolli.

Rëndësi, gjatë vitit 2015, i është dhënë edhemirëqenies sociale.

“Ka pasur rritje të ndihmës sociale, rritje për pensione, ka filluar pagesa e veteranëve, mbi të gjitha duke e paguar edhe përvojën e punës, ka rritje edhe të pagave për qytetarët në vitin 2015”, ka bërë të ditur ai.

Falja e borxheve, po ashtu, konsiderohet si e arritur tjetër e plan-programit qeverisës.

Gjatë vitit 2015, shoqatat ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve kishin vënë një varg kritikash në adresë të Qeverisë së Kosovës.

Ata, vazhdimisht, kishin kërkuar nga autoritetet komente që të ndërmarrin hapa konkret për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e zyrtarëve qeveritarë për reforma në ekonomike, nuk kishin munguar, por veprimet e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Në përgjithësi, po vazhdon një dinamikë e ngadaltë e zyrtarëve të Qeverisë, po vazhdon dominimi i çështjeve politike edhe shumë pjesë tjera të legjislacionit që është dashur të ndryshohen me një ritëm më të shpejtë sikur mbesin të paadresuara”, ka thënë Zeka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.