Lajmet e fundit

Sot filloi “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët”

ciklizemSot, një grup prej rreth 30 çiklistësh nisën udhëtimin e tyre bamirës për herë të 3-të, në një distancë prej 500km rreth e rreth Kosovës.
Çiklistët u nisën nga Prishtina për në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Kamenicë dhe kthehen me datën 5 qershor 2016 përsëri në Prishtinë në ngjarjen përmbyllëse në Beer Garden (tek Kafet e Vogla në Prishtinë) në ora 18.00, transmeton Koha.net.
Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët është një ngjarje bamirëse vjetore 3-ditore e çiklizmit përreth Kosovës për të ngritur fonde për fondacionin humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.” Kjo ngjarje u realizua me sukses në vitet 2014 dhe 2015 dhe po rritet çdo vit.
Albion Hadri, njëri nga organizatorët e ngjarjes dhe çiklist shprehet se “Jemi shumë të kënaqur me numrin e pjesëmarrësve në këtë udhëtim çiklistësh. Kjo nuk është garë por aktivitet humanitar. Andaj lusim edhe kalimtarët dhe vozitësit e tjerë që na shohin gjatë udhëtimit këto ditë të kenë durimin dhe t’ na mirëkuptojnë derisa kalojmë nëpër qytetet dhe fshatrat përreth Kosovës.”
Kjo ngjarje bamirëse vjetore ngrit fonde për fondacionin humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” në mbështetje të programeve furnizuese për shpëtimin e foshnjave në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. Ngjarja u organizua për herë të parë në vitin 2014 dhe fondet e ngritura atëherë siguruan aparatin e parë për përcaktimin e Proteinës C Reaktive (CRP) në Klinikën e Neonatologjisë që mundëson kryerjen e analizës së gjakut pranë shtratit të foshnjes dhe jo më në laboratorët jashtë klinikës. Ngjarja e vitit 2015 siguroi fotollampat të cilat mundësojnë trajtimin e verdhëzës tek foshnjet, Fondet e ngritura nga ngjarja e këtij viti do të sigurojnë monitorët kardiopulmonar për spitalin e foshnjeve të cilat masin të rrahurat e zemrës dhe frymëmarrjes tek bebet dhe lëshojnë sinjal kur këto të rrahura keqësohen, gjë që mundëson trajtim më të shpejt për beben.
Ngjarja përmbyllëse të dielën është e hapur për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bashkangjiten në pritje të kthimit të çiklistëve në Prishtinë. Ngjarja mbahet me 5 qershor 2016 në Beer Garden në Prishtinë nga ora 18.00. Në këtë ngjarje do të ketë edhe muzikë, shpërblime dhe aktivitete argëtuese në ngritjen e fondeve për Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.
Kjo ngjarje është nismë e dy çiklistëve ndërkombëtarë që jetojnë në Kosovë dhe përkrahet fuqishëm nga Eulex, Policia e Kosovës, Devolli Corporation, Astes Turkey, Rugove, BpB, Shtepiaku, On Line Studio, MoneyGram, UniProject, European Auto Care, Entermedia, VM3, dhe Beer Garden.

Leave a Reply

Your email address will not be published.