Lajmet e fundit
Sot Kuvendi pritet të vazhdojë punimet, opozita ka paralajmëruar bllokim

Sot Kuvendi pritet të vazhdojë punimet, opozita ka paralajmëruar bllokim

Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës vështirë se mund të ndodhë sot, pasi përfaqësuesit e opozitës kanë paralajmëruar se nuk do t’i lejojnë punimet e Kuvendit derisa kryeministri Isa Mustafa ta heqë nënshkrimin nga marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe. 

Sot në orën 10:00 do të mbahet vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, por kryeministri Isa Mustafa nuk do të raportojë për marrëveshjet e arritura në Bruksel me Serbinë, pasi ai ndodhet në Nju Jork.

Ndërkaq përfaqësuesit e partive opozitare kanë paralajmëruar bllokim të funksionimit të Kuvendit deri në shfuqizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Adonis Tahiri, ka thënë për Epokën e re se opozita e bashkuar do ta pamundësojë funksionimin normal të Kuvendit të Kosovës deri në tërheqjen e nënshkrimeve të Mustafës nga marrëveshjet e 25 gushtit dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

“Me këto marrëveshje pamundësohet funksionimi i shtetit të Kosovës e, si pasojë, nuk ka kuptim ta aktrojmë normalitetin në Kuvendin e Kosovës. Pra, nuk do të lejojmë që të zhvillohet ajo seancë. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të reflektojë mbi këtë situatë dhe sa më parë t’i tërheqë nënshkrimet nga ato marrëveshje”, ka thënë Tahiri.

Edhe sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka paralajmëruar se opozita do ta bllokojë edhe këtë seancë të Kuvendit. Ai ka thënë për Epokën e re se në gjendje jonormale Kuvendi nuk mund të mbajë seancë.

Ndërkaq, nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci, i ka bërë thirrje opozitës që debati të kthehet në Kuvendin e Kosovës, sepse çdo rrugë tjetër është e dëmshme për interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Në anën tjetër shoqëria civile po shprehet kundër formës të këtyre praktikave që ka zgjedhur opozita. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka bërë thirrje për mbarëvajtje të punës së Kuvendit, duke vlerësuar si të rrezikshme bllokimin e punës së Kuvendit nga ana e opozitës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.