Lajmet e fundit
Sot mbushen 18 vjet nga masakra e Rezallës, ende të pagjetur

Sot mbushen 18 vjet nga masakra e Rezallës, ende të pagjetur

masakraSotë bëhen 18 vjet nga masakra e fshatit Rezallë i Skënderajit.
Banori i këtij fshati, Shaban Deliu, i cili e kishte humbur babain në këtë masakër, e përshkroi për Klan Kosovën se si ka rrjedhur ngjarja në atë ditë të tmerrshme.
“Atë ditë ka qenë tmerr i madh, siç tregojnë bashkëfshatarët që janë gjallë, në orët e hershme të mëngjesit, e kanë rrethuar fshatin, i kanë tubuar gratë, pleqtë nëpër të gjitha lagjet”.
“Ata i kanë tubuar te lagjja Durguti, i kanë mbajtur tërë ditën, i kanë pyetur , rrahur, keqtrajtuar deri ne orën 17:00”, tha Deliu për Kosova Direkt të emisionit Ora e Fundit në Klan Kosova.
“Në orën 17:00 i kanë ndarë burrat dhe gratë. Gratë i kanë dërguar në drejtim të Likovcit, ndërsa burrat i kanë pushkatuar me gjakftohtësi.”
“Kanë shpëtuar vetëm tre vetë”.
Ndër viktimat e fshatit kishte qenë edhe babai i Deliut për vdekjen e të cilit ai thotë se e kishte kuptuar prej njërit të shpëtuar të asaj masakre.
“E kemi kuptuar se babai më është vrarë, nga njëri prej të shpëtuarëve, që ka treguar se çka ka ndodhur. Ka qenë tmerr i madh për te gjithë fshatin”.
“Janë ekzekutuar 44 burra, djem, pleq të fshatit tonë”.
Janë 8 persona të humbur nga kjo masakër për të cilët Deliu thotë se nuk është bërë shumë nga institucionet e Kosovës që t’i gjejnë ata.
“Kjo është brenga më e madhe që 18 vjet. Kam qenë në Rodare, me delegacion të Kosovës, janë gjetur shumica e bashkëfshatarëve tonë, ndërsa ende tetë nuk janë gjetur, mes tyre edhe prindi im”.
“Duhet të jepet përgjegjësi, në mesin e tyre është edhe gjenerali Lubisha Dikoviq”.
“Është një dokument në gjuhën çirilike serbe ku pikërisht ushtria jugosllave e ka pranuar që i ka ekzekutuar, për shkak të një mosmarrëveshje me bashkëfshatarë”.
“Janë ekzekutuar fëmijët 12 vjeçarë, çfarë mosmarrëveshje mund të kenë pasur me një 12 vjeçar?”
Sa i përket ngjarjeve që do të zhvillohen nesër, Deliu tha se kryesia e fshatit i ka ftuar për tubim por nuk e din nëse aty do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë nga vendi.
“Kryesia e fshatit na ka informuar për tubim, nuk e dimë se a do të vjen dikush nga lartë”.
“Kërkesa jonë si Rezallë është t’i gjejmë të gjithë të humburit e fshatit tonë dhe të Kosovës”.
“Udhëheqësit tanë duhet të bëjnë çmos që t’i gjejnë edhe të humburit e tjerë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.