Biblioteka Kombëtare, është vendi i cili është përgatitur për të pritur kabinetin qeveritar nga Shqipëria, i cili së bashku me Qeverinë e Kosovës, do të mbajnë mbledhje, ku pritet të nënshkruhen shtatë marrëveshje, në fusha të ndryshme mes dy qeverive përkatëse.
Në agjendën e kësaj mbledhje parashihet që delegacioni shqiptar të arrijë në pikën Kufitare Vërmicë në orën 10:00, ku do të pritet nga zëvendëskryeministri, Kujtim Shala dhe Protokolli i Shtetit.
Në orën 11:00 delegacioni shqiptar do të arrijë në Bibliotekën Kombëtare. Në orën 11:05 do të bëhet radhitja e kabineteve Qeveritare dhe pritja e kryeministrave.
Në 11:10, pritja ceremoniale e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa për kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku do të bëhet edhe intonimi i Himneve Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës.
Pas intonimit të himnit kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministrat Mustafa dhe Rama prezantojnë kabinetet.
Në orën 11:20, është paraparë që të fillojë mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ku do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet ministrive.
Ndërsa, konferenca e përbashkët për media, e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, do të mbahet në ora 12:40.
Në orën 13:00, parashihet dreka ndërmjet kabineteve, ku pjesëmarrës janë kryeministrat, ministrat, dhe delegacioni përkrahës prej 7 anëtarëve, ambasadorë, sekretarë dhe këshilltarë.
Në këtë mbledhje është paraparë nënshkrimi i shtatë marrëveshjeve në mes dy qeverive, në sektorë të ndryshëm .