Një grup prej afro 20 studentësh të universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” ka protestuar të mërkurën para objektit të institucionit, me kërkesën për largimin e Mimoza Kusari-Lilës nga Këshilli Drejtues (KD) i këtij Universiteti.
Besart Lokaj, përfaqësues i Këshillit Protestues, ka thënë se çfarëdo politike e jashtme që mendon të hyjë brenda Universitetit do jetë e jashtëligjshme dhe nuk do ta ketë përkrahjen e studentëve.
“Është qëndrim i këtij grupi të studentëve që nëse vetë Mimoza Kusari-Lila nuk do të largohet nga posti në Universitet deri më datën 26 të këtij muaji, atëherë para Universitetit do të kemi protestë më masive dhe jopaqësore”, ka deklaruar Lokaj.
Ky grup studentësh kanë thënë në reagimin e tyre të parë se kërkesën për largimin e Kusari-Lilës ia kanë dërguar edhe ministrit Bajrami dhe menaxhmentit të Universitetit, por se asnjëra palë nuk u ka kthyer përgjigje.
Por Kusari-Lila është përkrahur nga Rektorati i këtij Universiteti dhe nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, e cila e ka emëruar në këtë pozitë. Ajo është e vetmja kryetare e komunës, e cila është edhe anëtare në KD-në e një universiteti publik në Kosovë. Në pesë universitetet e tjera publike kryetarët e komunave më nuk janë anëtarë të KD-ve.
Deri para këtij vit akademik, kryetarët e Komunës së Mitrovicës, Gjakovës, Pejës, Prizrenit dhe Gjilanit kanë qenë anëtarë të KD të universiteteve, me vendim të MASHT-it, me arsyetimin se ato ende nuk janë universitete të pavarura nga UP-ja. Nga ky vit, ato kanë marrë statusin e universiteteve të pavarura publike, me kompetenca të plota.
Megjithatë, më 31 gusht të këtij viti, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e ka emëruar Kusari-Lilën sërish anëtare të KD në Universitetin e Gjakovës. Kjo ka nxitur reagimin e studentëve të cilët fillimisht u kanë dërguar letër të hapur medieve se nuk e duan Kusari-Lilën në KD të UGJ-së. Ajo letër mban logon dhe adresën e Universitetit të Gjakovës, por jo edhe emra të studentëve që e dërguan atë.
Por drejtues të MASHT-it kanë mohuar të kenë marrë ndonjë kërkesë nga studentët.
Faton Fetahu, nga kabineti i ministrit Bajrami, ka thënë për gazetën se MAShT-i nuk ka pranuar asnjë kërkesë apo ankesë nga asnjë person fizik – personel akademik apo studentë nga UGJFA lidhur me këtë çështje.
“Pas përfundimit të rregullt të procesit zgjedhor në universitetin e Gjakovës ‘Fehmi Agani’ dhe konstituimit të organeve të tij, Senati i UGJFA, nga radhët e tij ka zgjedhur katër anëtaret e Këshillit Drejtues dhe ka kërkuar nga MAShT-i emërimin e tre anëtarëve nga Ministria.
Ministri, në bazë të Ligjit për arsimin e lartë, ka marrë vendim që të emërojë tre anëtarët e Këshillit Drejtues: Luan Ahma, Mirlinda Batalli dhe Mimoza Kusari-Lila”, ka thënë Fetahu.
Sipas tij, anëtarët e emëruar janë persona me reputacion të lartë publik, me aftësi përkatëse profesionale, afariste dhe me aftësi të tjera praktike, dhe asnjëri nga ata nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me institucionin në të cilin janë emëruar.
“Mimoza Kusari-Lila është emëruar me qëllim të mbështetjes së funksionalizimit dhe zhvillimit të Universitetit të Gjakovës”, ka thënë Fetahu.
Fetahu ka përmendur se Kusari-Lila ka qenë anëtare e KD-së që nga fillimi i mandatit të saj si kryetare e Komunës së Gjakovës, duke e zëvendësuar aty ish-kryetarin në mandatin e kaluar, Pal Lekaj. Kundërshtimin e studentëve ai e ka vlerësuar përpjekje të grupeve të caktuara të interesit që synojnë të pengojnë vënien e ligjshmërisë dhe zhvillimin e tij.
Ndërsa, Linda Dula-Halilabazi, u.d. e sekretares së përgjithshme në Universitetin e Gjakovës, ka thënë se emërimin e Kusari-Lilës po e kundërshtojnë persona të manipuluar.
“Ata më së paku janë studentë, sepse studentët tanë nuk dërgojnë publikime pa nënshkrime, e pa vulë të Universitetit, si dhe pa na njoftuar të paktën neve për kërkesat e tyre”, ka thënë Halilabazi.
Sipas saj, asnjë student nuk ka ardhur për t’u ankuar në Rektorat kundër zgjedhjes së saj dhe se nuk ka pasur asnjë shkresë për këtë çështje.
“Menaxhmenti i cilëson si manipulantë ata që dërguan letra me logo dhe adresë të Universitetit pa lejen e Rektoratit”.
Por përfaqësuesi i studentëve protestues, Besart Lokaj, ka thënë të jenë të zgjedhurit e studentëve dhe si përfaqësues të tyre e përdorin logon për t’u evidentuar si Universitet.
“Edhe Rektorati na ka lejuar këtë”.
I pyetur nëse ky grup studentësh e ka përkrahjen e Parlamentit Studentor të UGJK-së, Lokaj ka thënë se të gjitha Këshillat Studentore sot ishin të pranishëm në protestë.
E Miranda Lushaj, kryetare e Parlamentit Studentor, ka refuzuar të prononcohet nëse qëndrojnë mbrapa kërkesës së protestuesve.
“Ne do të dalim me një deklaratë zyrtare këtyre ditëve dhe aty do të japim të gjitha sqarimet dhe argumentet tona në lidhje me këtë çështje”, ka deklaruar Lushaj.