Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka paralajmëruar nesër (e martë) protestë për orën 11:00, qëllimi i së cilës është të kundërshtohen vendimet e rektorit për moslejimin e afateve të jashtëzakonshme të provimeve, konkretisht lejimi i afatit të tetorit, ku studentët do të kenë të drejtë të paraqesin nga dy provime dhe i njëjti të vlejë për arritjen e kushtit për vitin vijues.
Studentët do të kërkojnë të kthehen afatet e provimeve të absolventëve në të gjitha njësitë akademike. Përfaqësues të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë thënë se kriteri i arritjes së kushtit për gjeneratën 2014/15, niveli bachelor, duhet të jetë me 70 % të kredive ose të provimeve dhe kriteri i arritjes së kushtit për gjeneratën 2014/15, niveli master, të jetë me 50 % të kredive ose provimeve.
Rifat Krasniqi, përfaqësues i studentëve në Senatin e UP-së, ka thënë për “Epokën e re” se, në rast se menaxhmenti nuk reflekton edhe pas protestës që do të mbahet të martën, ata do të vazhdojnë edhe me protesta të tjera deri në realizimin e kërkesave të tyre. “Kërkesat tona janë që të ketë afat të tetorit. Ky afat të jetë me dy provime dhe të vlejë për kusht. Gjithashtu, të ketë afat të absolventëve siç kanë qenë më herët kriteret e kushtit. Pra, që studentët të nxënë kushtin në afatin e dytë ashtu siç ka qenë më herët me 70 për qind të provimeve ose me 70 për qind të kredive, e cila është në rregulloren e vitit të kaluar. Po ashtu, edhe kriteri për arritshmërinë e kushtit të jetë 50 për qind të kredive. Këto kërkesa jemi duke i bërë për të mirën e studentëve sepse, sipas një statistike, kemi kuptuar që vitin e kaluar afati i tetorit ka qenë afati më i suksesshëm”, ka thënë Krasniqi. Ai ka bërë me dije se do të kërkojnë edhe prej Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës të ndihmojë në zhbllokimin e situatës.