Lajmet e fundit

Studentët të përçarë edhe në ditën e zgjedhjeve

Sot po mbahen zgjedhjet studentore në Universitetin e Prishtinës dhe në garë janë nëntë organizata studentore.

Forma e fushatës shpesh ngjason me atë që bëhet në nivel partish dhe nga diskursi, veprimi dhe kundërthëniet janë një lloj refleksioni i partive politike brenda Universitetit.

Përfaqësuesit e organizatave studentore ndajnë mendime të kundërta për procesin zgjedhor që u zhvillua gjatë ditës së sotme.

Arben Mehmeti, kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Kosovës (UPSPK) e ka cilësuar procesin si të rregullt.

“Procesi në përgjithësi ka shkuar në rregull dhe nga këto zgjedhje presim të dalin struktura të cilat do t’i përfaqësojnë studentët në mënyrën më të mirë,” ka thënë Mehmeti për Klan Kosovën.

Mendim të kundërt me të ka shprehur Flamur Pireva nga organizata Studim Kritik Veprim (SKV), sipas tij procesi pati shumë parregullsi.

“Zgjedhjet po karakterizohen me disa parregullsi. Deri tani është shumë evidente numri i studentëve që nuk figurojnë fare në listën e votueseve, pavarësisht që ata janë të rregullt në studime”, ka thënë Pireva.

Më tej aktivisti i SKV-së ka kritikuar organizatat tjera studentore që janë të lidhura me pushtetin se po bëjnë fushatë me metodat të njohura tashmë. Gjithashtu ai ka shtuar se këtë zgjedhje të bëra me nguti i konvenojnë grupeve që dëshirojnë ta pengojnë reformën në Universitet.

“Ne do presim rezultatet përfundimtare, por disa organizata tashmë të njohura për lidhjet e tyre kriminale që kanë me pushtetin, kanë arritur që të bëjnë një fushatë mobilizuese me metodat e tyre drejt fitimit të këtyre zgjedhjeve”.

“Sido që të jetë rezultati, ne nuk jemi optimist se gjendja në UP mund të përmirësohet. Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në një situatë kaq të jashtëzakonshme tregon që kjo nguti i ka konvenuar grupeve të caktuara që kanë penguar reformën universitare. Këto zgjedhje madje po mbahen pa u miratuar ligji i ri për Universitetin, gjë të cilin muaj më parë e kishte pamundësuar Lista Srpska në Kuvendin e Kosovës”, ka përfunduar Pireva, përcjellë Klan Kosova.

Në gjithë këtë garë dhe fushatë mes organizatave studentore është edhe një tjetër organizatë që ka vlerësuar se bojkotimi i këtyre zgjedhjeve është gjëja më e mirë që mund të bëjnë studentët.

Fitim Salihu, nga Klubi Politik i Studentëve ka thënë se zgjedhjet po riprodhojnë rezultatet e kaluara dhe pasojat për studentët janë të njëjta.

“Ne jemi kundër këtyre zgjedhjeve sepse vazhdimisht po riprodhojnë të njëjtat rezultatet – apo thënë më mirë, të njëjtat pasoja – për studentët. Zgjedhjet studentore janë dëshmuar si mjet shterp në zgjidhjen e problemeve dhe të vetmen rrugë e shohim në organizim dhe veprim direkt”

“Nuk është që i kemi bërë drejtpërdrejt thirrje studentëve që të mos dalin në zgjedhje sepse kjo gjë veçse është e zakonshme: zakonisht 2/3 e studentëve nuk dalin në zgjedhje dhe injorojnë cirkun e të vetëquajturave organizata studentore, që në fakt janë marioneta të partive politike dhe klane mafioze brenda UP-së,” është shprehur Salihu, njofton Klan Kosova.

Zgjedhjet pritet që të përfundojnë në orët e mbrëmjes – me rezultatet preliminare si dhe ato finale që nuk do të vonohen, ndërsa puna dhe rezultatet e fituesve të këtyre zgjedhjeve mbetet të shihen gjatë mandatit të tyre/KlanKosova

Leave a Reply

Your email address will not be published.