Kërkohet që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë për abuzimet e milionave
Dibrani: Përderisa partitë qëndrojnë prapa këtyre tenderëve të dyshimtë, nuk ka se si të justifikohet ndryshe se drejtësia është e kapur
“Ligji i prokurimit parasheh që për çdo tender të ketë së paku tre kandidatë. E në rastin e ish-ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj, që kompanive “Dukagjini” dhe “Libri Shkollor” u jep të drejtën e librave shkollorë pa asnjë tender është superskandal, gjë për të cilën Hoxhaj dhe shumë zyrtarë të tjerë, është dashur tashmë të ishin duke e vuajtur dënimin, bashkë me ata që kanë gisht në këtë skandal, që kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për dhjetëra miliona euro”, shprehet analisti Faik Krasniqi
Qëkur nisi të shkruajë “Kosova Sot” për tekstet shkollore, gjërat lëvizen përpara dhe u pa se me këto tekste janë bërë mjaft dallavere dhe si pasojë e kësaj dikush duhet të japë përgjegjësi. Në konferencën për fundvit edhe ministri aktual i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se ka kërkuar raport se çka ka ndodhur me këto tekste shkollore, të cilin pret se do ta marrë në muajin mars. Ai po ashtu përmendi se duhet të ndryshohet Ligji aktual për tekstet shkollore, si dhe Udhëzimi Administrativ. “Kam vendosur rishikimin e politikave sa u përket teksteve shkollore në tri segmente. E para, rishikimin e teksteve shkollore, në mënyrë që ju mediet të mos bëni më shkrime për gjuhën diskriminuese që janë në tekste. E dyta zëvendësimin gradual i teksteve klasike me tekstet digjitale dhe e treta zvogëlimin e buxhetit sa u përket teksteve, sepse vlerësoj se nuk ka para sa duhen tekste. Në bazë të Udhëzimit të tanishëm tekstet duhet të kthehen, edhe pse jepen falas ato janë pronë e Qeverisë, nuk kemi një kulturë prindërore që të ruhen tekstet”, është shprehur ai. Kam vendosur në agjendën rishikimin e Ligjit për tekstet shkollore, në mënyrë që ta zvogëlojmë fondin dhe të promovojmë tekstet përmes internetit. Sivjet kemi krijuar një komision, që është në fazën e punës për tekstet shkollore, ku kryesohet nga zv.ministrja Anila Statovci dhe unë në muajin mars do ta kemi raportin, ku do të vendos se cilat tekste menjëherë të zëvendësohen”, ka thënë ai në konferencë. Bajrami tha se ai vetë si ministër është i pakënaqur me disa tekste shkollore. “Dua të them se jam shumë i pakënaqur me tekstet e shkencave shoqërore, tekstet e lëndës së historisë, gjuhës shqipe, të gjeografisë, të edukatës qytetare dhe të disa lëndëve të tjera që janë bukur të vjetruara dhe që kanë edhe bukur përmbajte ideologjike, sepse nxënësit tanë duhet ta mësojnë historinë reale, pa ndikime politike dhe kam marrë vendim që këto tekste të shkruhen nga autorët neutralë me bagazh profesional dhe do ta shihni këtë ndryshim”, ka thënë ai./Kosovasot/