Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Veton Surroi, ishte dje protagonisti i një debati të hapur publik mbi rolin e intelektualit në hapësirat shqiptare, nisur nga botimi nën siglën e botimeve “Saras” të katër veprave të tij, “Libri i fluturave”, “Këmbët e gjarprit”, “Miliarderi” dhe “Ambasadori i Melkezidekut”. Katër libra, të cilët janë një ftesë jo vetëm për t’u kthyer te letërsia e mirë, por për të bërë një udhëtim në të shkuarën dhe të tashmen tonë.
Surroi është një kronikan elegant i historisë, duke i dhënë asaj ngjyra që e bëjnë të paharrueshme, transmeton gazeta Shqip.
Për Lufti Dervishin, takimi me librat e Surroit është një takim që të përfshin, duke të bërë të thellohesh në atë çfarë ai ka shkruar dhe shumë pak autorë e kanë këtë aftësi.
Kjo, pasi ai është një njohës i mirë i realiteteve që përshkruan, duke të futur tek ato si në një tablo që ka të gjitha ngjyrat.
Regjisori Altin Basha veçoi humorin që gjendet te veprat e tij dhe pamëshirshmërinë që ka ndaj “injorancës” si një cilësi që e përsos shkrimin e Surroit.
Arben Çejku, ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë, vlerësoi kontributin e tij në çështjen e Kosovës, duke e quajtur një nga kontribuuesit më të rëndësishëm të asaj çfarë Kosova është sot.
Ish-diplomat, Çejku tha se është befasuar nga moria e letërkëmbimeve që ka gjetur në arkivin e Ministrisë së Jashtme në Kosovë, ku shprehej angazhimi i Surroit për të çuar Kosovën në këtë dimension që është sot.
Për drejtorin e botimeve “Saras”, Besnik Myftari, Surroi është një zë i rëndësishëm i mendimit në hapësirat shqiptare dhe librat e tij të ftojnë drejt mendimit, si një element i domosdoshëm për atë çfarë jetojnë shoqëritë shqiptare sot.
Shkrimtarja Diana Çuli e vlerësoi shkrimtarin e angazhuar që gjendet te shkrimi i Surroit, çka lidhet dhe me ndjeshmërinë e tij ndaj politikës apo situatave të tjera në vend.
Kjo është ajo çfarë duhet të bëjë letërsia dhe shkrimi, sipas Çulit, të jetë pararojë e zhvillimeve, duke i çuar përpara proceset emancipuese të një vendi. Aktorja Ema Andrea tha se ajo çfarë mbetet pasi lexon librat e Surroit është se e ndien veten të përfshirë nga pyetje, por edhe përgjigje. Andrea shtjelloi temën e lirisë intelektuale, në konceptin e një lirie shpesh të sunduar nga dhuna në hapësirat tona.
Për Surroin, përballja me një dhunë të të menduarit, vjen nga vetë historia me të cilën janë përballur vendet tona. Komunizmi gati 50-vjeçar në Shqipëri, lufta apo të qenët për një kohë të gjatë nën ombrellën e ish-Jugosllavisë së Kosovës apo historia në Maqedoni, i ka bërë elitat tona të mos jenë ende të çliruara nga kompleksi i dhunës. Në publicistikën e Surroit përballesh me personazhe reale. Ai nuk ka frikë të portretizojë dhe kritikojë shpesh dhe ashpër personazhe apo ngjarje që penalizojnë europianizmin e shqiptarëve. Ai i bën një skaner së shkuarës, por dhe arkivon memorien tonë kolektive, atë memorie për të cilën do të kemi shumë nevojë nesër. Me aftësinë që ka shkrimi për parashikime, libri “Ambasadori i Melkizedekut”, duket sikur hedh skeletin e arkitekturës së ardhshme në hapësirat tona. Surroi parashikon në këtë libër një rrezik nga rritja gjithnjë e ndjeshme e një islamizmi politik në shoqëritë tona, duke e quajtur atë shqetësuese. “Shoqëritë tona janë sot të sulmuara nga islami politik, pjesë e këtij sulmi po bëhet në Kosovë e Maqedoni, por edhe në Shqipëri. Një pjesë e këtij sulmi po ndodh në institucionet fetare, duke u përpjekur për të ndryshuar sistemin tradicional të interpretimit të islamit ndërshqiptar e duke futur në të elemente, primesa, të cilat nuk kanë ekzistuar, të cilat në vend të adaptimit të islamit tradicional në shoqëritë tona kërkojnë që shqiptarët t’i adaptohen një forme të veçantë të islamit që ekziston në disa vende, në radhë të parë në Arabinë Saudite”, tha ai. Ajo çfarë e ka shpëtuar dhe mund të quhet një vlerë ndër shqiptarët ka qenë fakti i krijimit të një identiteti kombëtar, i cili ka dominuar mbi atë fetar.
Duke folur për raportet shtet-komb, Surroi tha se nuk mjafton vetëm rritja e sigurisë në uljen e ekstremizmit fetar, por dhe një politikë më e zgjuar, e cila duhet të nisë nga elemente në dukje të vogla. Duke e quajtur kthimin te letërsia si një kthim të bukur, që gjithnjë ka qenë brenda tij, ai e konsideroi librin dhe shkrimin si mënyrën më të përkryer për të përsosur njerëzimin. Në stendën e botimeve “Saras” në Panairin e Librit që po mbahet në Pallatin e Kongreseve, janë katër botimet e këtij autori, katër botime që mbartin brenda jo vetëm intelektualin e angazhuar, por dhe shkrimtarin plot humor e finesë, i cili të bën të gjesh te një libër gjithçka do të duash ta lexosh.
Veton Surroi është një nga personazhet më të njohura të skenës politike dhe publicistike në Kosovë. Ka themeluar revistën “Koha” më 1990-n, e cila më 1997-n u transformua në gazetën e parë të pavarur të përditshme në Kosovë, “Koha Ditore”. Më vonë themeloi dhe televizionin KTV. Si anëtar i delegacionit të Kosovës më ‘99-n, ka qenë nënshkrues i Marrëveshjes së Rambujesë, e cila solli çlirimin e Kosovës. Më 2005-2008 ka qenë anëtar i udhëheqjes së delegacionit të Kosovës, në negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës. Dhe pse nuk është aktiv në politikë vitet e fundit, ai bëhet shpesh protagonist në të përmes shkrimit, duke qenë kritiku dhe orientuesi më i mirë ku duhet të mbështetet boshti i politikës në Kosovë dhe jo vetëm.