Lajmet e fundit

Tahiri: Serbia shkeli marrëveshjen e Brukselit

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, deklaroi se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit duke penguar që pjesëtarët e të ashtuquajturës mbrojtje civile të integrohen në institucionet e Kosovës, proces ky që ishte paraparë të realizohej dje, më 29 dhjetor 2015.

Ajo njoftoi se Kosova kishte kryer të gjitha obligimet për integrim, duke përfshirë procesin e verifikimit, rekrutimit dhe selektimit të kandidatëve në pajtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, dhe se ceremonia e nënshkrimit të kontratave ishte paraparë të mbahej më 29 dhjetor 2015 në Kuvendin komunal të Mitrovicës veriore në praninë e BE/EULEX-it.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, nga institucione qendrore kanë qenë prezent në këtë ceremoni, por pjesëtarët e ish Mbrojtjes civile kanë refuzuar të nënshkruajnë kontratat e punësimit, madje as nuk janë paraqitur fare në ceremoni sipas direktivave të Beogradit për refuzim. “Ne kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian gjatë ditës së djeshme për të kërkuar angazhimin e tyre që të realizohet ky proces i integrimit. BE-ja ka provuar pareshtur që të kontaktoj me autoritetet e Serbisë, mirëpo përpjekja e tyre ka qenë e kotë sepse zyrtarët e Serbisë as që iu janë përgjigjur telefonatave të BE-së” tha ministrja Tahiri.

Kjo sjellje e Serbisë nuk është për t’u habitur, sepse shkelja e kësaj marrëveshjeje është vetëm një shkelje e radhës nga ana e Serbisë.  BE-ja po ashtu na njoftoi se paraprakisht kishin marrë konfirmim nga Serbia do ta zbatojë marrëveshjen, mirëpo në realitet dështoi ta zbatoj atë. Ministrja Tahiri po ashtu theksoi se ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian për shkeljen e kësaj marrëveshje nga ana e Serbisë.

Ministrja Tahiri njoftoi se dje është dashur integrohen 378 pjesëtarë të ish-mbrojtjes civile, ku prej tyre 328 në institucione qendrore të Kosovës dhe 50 në fondin e kontigjencës, ndërsa më herët në tetor janë integruar 105 persona. Numri i përgjithshëm i personave që integrohen është gjithsejtë 483 dhe Qeveria e Kosovës duke respektuar obligimet e zbatimit të kësaj marrëveshje ka nxjerrë vendimin përkatës për integrim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.