Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka vizituar zejtarët dhe objektet e trashëgimisë kulturore, duke prezantuar programin për trashëgimi kulturore.
Trashëgimia kulturore e Prishtinës, sipas Tahirit, fatkeqësisht në vitet e fundit është degraduar shumë, dhe mbi të gjitha nuk ka pas një qasje integruese në mënyrë që atë trashëgimi që e kemi ta fusim në funksion të qytetit, respektivisht të mirës publike.
“Këto objekte kanë dalë këtu, pe shihni ku janë atje. Qe 13 vjet janë metë në lastra, që 13 vjet sorollaten poshtë e përpjetë udhëheqësit e komunës edhe ju thonë jo këtë vit, jo në atë vit. Një fjalë popullore thotë, herë në atë t‘enjte, herë në këtë të enjte.
Nuk ka asnjë veprim konkret sa i përket stimulimit të artizanaleve”, është shprehur Tahiri, transmeton KP.
Tahiri tha se programi i tij për këtë fushë përfshinë menaxhimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore, avancimin e turizmit kulturor, përpilimin dhe zhvillimin e guideve turistike, si dhe strategjinë për promovim dhe sensibilizim të qytetarëve për trashëgimi kulturore.