Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, së bashku me njohësin e hidrologjisë Lum Gashi, e kanë prezantuar kontratën e kësaj partie për banorët e Lagjes Veternik, e cila u garanton ujë të mjaftueshëm qytetarëve të kësaj lagjeje.
Tahiri u shpreh se në këtë lagje e cila është komplet ndërtim privat i banorëve, AAK-ja do të jetë ajo e cila do t’u dalë në ndihmë duke i legalizuar të gjitha shtëpitë të cilat kanë qartësi pronësie.
“Kontrata për ndryshim e Aleancës për Prishtinën e përfaqësuar nga ne, kësaj lagjeje i ofron katër pikat kryesore që mendoj se janë pikat më të rëndësishme. E para secila shtëpi e cila ka qartësi në pronësi do të legalizohet, e dyta kjo është një ndër lagjet më të dëmtuara sa i përket ujit dhe në pikën e dytë të vendimit e kemi ujin. Ne e kemi paraparë që në këtë lagje përpos kyçjes në ujësjellës po ashtu të kem një rezervuar vetëm për këtë lagje në mënyrë që të kem ujë 24 orë. Tutej në këtë lagje mungon çerdhja dhe mungon shkolla, dy institucione të cilat me kompetencë të Komunës do të ndërtohen dhe së fundi do të krijojmë një komunikim të drejtpërdrejtë me policinë e Kosovës në mënyrë që sigurinë ta rrisim në nivelin më të lartë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se kjo lagje do ta ketë edhe policinë e lagjes dhe ndriçim adekuat.