Lajmet e fundit

Të gjithë me Francën, të gjithë në luftë

Nga Ben Andoni

Ajo që i frikëson të gjithë pak orë pas tragjedisë franceze është se kush do e ketë radhën në Perëndim dhe sa të mbrojtur jemi më nga e keqja. Kjo e fundit nuk ka më formë të padukshme, ajo gjendet fare afër dhe madje me guximin që të sfidojë hapur. Politika jo fleksibël e Bashkimit Evropian dhe mungesa e masave të forta, Franca e tregoi hapur për këtë rast, teksa terroristët vepruan pa problem në disa drejtime, na bën të mendojmë se: ato që ISIS-i shpalli pak muaj më parë se shpejt do kalonte detin, nuk paskan qenë vetëm propagandë.

Por, ndërsa në gjithë këtë vorbull të së keqes, ku mesazhet i drejtohen direkt qeverive të perëndimit, në këtë rast asaj franceze, aeroplanmbajtësja e vetme e të cilës është drejt Gjirit Persik, për aksione kundër Shtetit Islamik, pasojat po i pësojnë njerëzit e thjeshtë. Ndërkohë që me shumë gjasa politika ndaj refugjatëve të shkretë do të ndryshojë në kurriz të tyre.

“Marsejeza” që këndonin të irrituar francezët pas ndeshjes në shenjë solidariteti me gati 120 viktimat e pafajshme, në një farë mënyre tregon se luftën e kemi afër dhe përballë. Vetëm se pa ushtri. Pa llogore. Pa bombardime. Dhe, kjo është më e frikshmja.

Ajo që të shqetëson akoma është edhe roli i mbaruar i OKB-së, që po tregon se Bota ka nevojë për themelimin e një grupimi të ri shtetesh, që të jetë më në kontakt të përbashkët t’i vërë frè kësaj rritje të pamasë të terrorizmit islamik, por nga ana tjetër edhe të ketë tagrin t’i bëjë një frenim Fuqive të Mëdha, politika e të cilave ka rezultuar jo vetëm nule por edhe ushqyese e këtij lloji terrorizmi fatal.

Nëse pak vite më parë, dijetarët e politikës e provuan në mënyrë empirike falë Huntington përplasjen e qytetërimeve, tashmë u duhet politkbërësve të merren me direkt pasojat e kësaj lufte, që nuk është habi të marrë forma nga më agresivet. Dorashka është hedhur.

Është afër mëndsh që francezët e thjeshtë të kenë në këto orë të fundit mbështetje nga e gjithë Bota Kristiane, ajo Myslimane, ashtu si edhe e gjithë besimeve të tjera, por ngjarjet e të premtes së 13 Nëntorit, i kalojnë të gjitha: pasi na kujtojnë se tashmë lufta është shpallur. Thjesht, duhet ta kuptojmë dhe të orientohemi në rrugën e duhur, që gjithmonë është e saktë, edhe pse e kushtueshme nëse do respektosh vlerat humane dhe ato universale të së drejtës. Ja pse të gjithë jemi në dhimbjen e Francës, ja pse të gjithë tashmë jemi në luftë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.