Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës gjatë javës së fundit ka qenë më e qetë sesa në javët paraprake. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se gjatë javës së fundit ka pasur disa incidente, por që nuk kanë ndikuar në sigurinë e përgjithshme. “Janë shënuar dy sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, një në Leposaviq dhe një tjetër në veri të Mitrovicës”, tha ai.
Poashtu Bala përmendi edhe një protestë që është mbajtur në veri kundër mbajtjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit. “Ish-drejtuesit e strukturave paralele serbe që kanë mbetur pa punë janë duke bërë përpjekje që të dështojnë zgjedhjet e 3 nëntorit në veri, mirëpo vërehet se nuk kanë përkrahje nga qytetarët”, tha ai.
Bala, ripërsëriti kërkesën për rritjen e masave të sigurisë në veri në mënyrë që të krijohen kushte për zgjedhje të lira për të gjithë qytetarët. “Strukturat e sigurisë duhet të jenë të vëmendshme dhe të mos lejojnë në asnjë mënyrë që rendi dhe ligji të sfidohet nga grupet ekstremiste”.
Ai apeloi që qytetarët të dalin sa më masovisht në zgjedhje si në jug ashtu edhe në veri të qytetit dhe pa frikë të votojnë për të preferuarit e tyre.
Ndërsa, kapiteni Ahmet Xhoshi nga Policia e Kosovës, theksoi se fushata parazgjedhore në jug të qytetit është duke shkuar mirë dhe nuk është shënuar asnjë incident i vetëm.