Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani ka organizuar tubim me bashkatdhetarë në Hagen.
Përmes një njoftimi për media u bë e ditur se në tubim u diskutua për dëmet që shkaktojnë marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi si dhe për angazhimin e mërgatës shqiptare në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve.
“Bashkatdhetarët ishin tejet të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre nuk e mbron Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht e lufton opozitën në mënyrë brutale duke keqpërdorur policinë dhe duke arrestuar të zgjedhurit e popullit” thuhet në këtë njoftim për media, transmeton Klan Kosova.
Në këtë takim pjesëmarrësit u informuan se të shtunën më 19 dhjetor në ora 15:00 para Ambasadës të Republikës së Kosovës në Berlin organizohet protestë kundër këtyre marrëveshjeve.