Lajmet e fundit
Teatri udhëhiqej me drejtor të jashtëligjshëm

Teatri udhëhiqej me drejtor të jashtëligjshëm

Për gati një vit Teatri Kombëtar i Kosovës është udhëhequr nga një drejtor i jashtëligjshëm.

Qysh nga dita e parë e prillit të vitit 2014 e deri më 24 shkurt të këtij viti, Valdet Avdiu, ka udhëhequr institucionin më të lartë teatror në vend pa qenë i emëruar në këtë pozitë sipas ligjeve në fuqi.

Një konstatim të tillë e ka nxjerrë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
“Kolegji për shqyrtimin e ankesave ka konstatuar se autoriteti punëdhënës, marrëdhënien e punës me ankuesin e ka lidhur në kundërshtim me procedurën e përcaktuar me legjislacionin e shërbimit civil dhe për pasojë nuk e ka miratuar kërkesën apo pretendimin e ankuesit për kthim në vendin e tij të punës”, shkruan në vendimin e KPMShCK-së, të protokolluar në ditën e katërt të këtij muaji.

Valdet Avdiu i ishte drejtuar me ankesë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, pasi në shkurt të këtij viti, Këshilli Drejtues i TKK-së e shkarkoi nga pozita e drejtorit. Por nga përgjigjja që ka marrë del se ai nuk ka qenë kurrë drejtor.

Kjo, sepse Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka konstatuar se Ministria e Kulturës nuk kishte kërkuar leje nga Ministria e Administratës Publike kur kishte hapur konkursin për drejtor nëpërmjet të cilit Avdiu kishte zënë pozitën e kreut të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.