Lajmet e fundit

Tension mes Beogradit dhe Tiranës, Vuçiç shpall non grata ambasadorin shqiptar

Futbolli ka tensionuar sërish marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Edhe pse bëhej fjalë thjeshtë për një ndeshje mes dy kombëtareve, ajo mori sërish trajtë politike.
Beogradi ka reaguar dje ashpër ndaj trupit diplomatik shqiptar në Serbi, duke vendosur që të mos ketë kontakte me ambasadorin Ilir Boçka për 6 muaj. Gjithçka erdhi pasi ambasadori ynë refuzoi një notë proteste që Beogradi i dërgoi ditën e mërkurë, fill pas goditjes me gur të autobusit në të cilin udhëtonte kombëtarja serbe.
Reagimi i parë i serbëve ishte pikërisht dërgimi i notës së protestës, por që ambasadori e refuzoi duke mos e cilësuar incidentin si një ngjarje madhore. Kjo gjë ka acaruar dhe vetë personalisht kryeministrin Aleksandër Vuçiç, i cili u prononcua në një deklaratë për mediat mbi këtë çështje, ku dhe njoftoi masat e ndërmarra ndaj ambasadorit tonë.
“Asnjë nga zyrtarët e lartë gjashtë muajt e ardhshëm nuk do të jetë në gjendje të takohet me Ambasadorin e Shqipërisë. Ambasadori ka vepruar në mënyrë jo diplomatike, se ambasadorët nuk kanë të drejtë për një reagim të tillë. Për këtë rast Serbia e ka shpallur person non grata apo e thënë ndryshe, për gjashtë muaj ai nuk do të jetë në kontakt me përfaqësuesit e Serbisë. Vendimi im nuk është që të prishim marrëdhëniet. Por një sjellje e tillë nuk mund të tolerohet”, tha Vuçiç.
Reagimi i qeverisë serbe ishte i papritur, pasi deri më tani është folur se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një tjetër rrugë. Por kjo ndeshje futbolli tregoi edhe një herë se sa të brishta janë këto marrëdhënie dhe është sërish futbolli që e tregon një gjë të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.