Lajmet e fundit
Tensionohet loja Shqipëri-Zvicër

Tensionohet loja Shqipëri-Zvicër

Tifozët Kuq e Zi nëpërmjet një letre kërkojnë nga futbollistë helvetik me origjinë me origjinë shqiptare, që ta refuzojnë lojën në Tiranë, se do të quhen “tradhtarë.

Ndeshjen eliminatore ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës që do të luhet të premten në Tiranë e kanë bërë edhe më tensionuese dhe më emocionale Tifozët Kuq e Zi. Nëpërmjet një letre të hapur, ata i kanë kërkuar futbollistëve shqiptarë që luajnë për kombëtaren e  Zvicrës, që mos të luajnë në Tiranë, sepse do të quhen “tradhtarë”.

Siç argumentojnë Tifozët Kuq e Zi, në çdo rast, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi dhe Pajtim Kasami do të quhen “tradhtarë’, nëse fitojnë apo humbin kundër Shqipërisë. Prandaj, sipas tyre, më mirë është që mos të luajnë, raporton “panorama”.

“Meqenëse keni rrënjë shqiptare dhe nuk ndiheni rehat të luani kundër kombit të rrënjëve  tuaja (ashtu siç edhe deklaroni nëpër media), ju kërkojmë që të mos luani në ndeshjen kundër Shqipërisë në Tiranë. Mendojmë se në këtë mënyrë do të jeni korrekt edhe me ngjyrat që i prezantoni, pasi që ata do t’ju kuptojnë”, thuhet në letrën e tifozëve shqiptar.

Nëse veproni ndryshe, siç thuhet më tej në letër, dhe nuk jeni në ditën e juaj më të mirë, atëherë ata (zviceranët) do t’ju quajnë ‘tradhtarë’.

“Mirëpo, nëse eventualisht shënoni gol, atëherë bashkëkombësit e juaj (Ne) të anës tjetër do t’ju quajmë po me të njëjtin emër”, thuhet më tej në letrën e TKZ, sipas të cilëve, mosluajtja në stadiumin “Qemal Stafa” të premten iu shpëton nga “tradhtia”.

Tifozët Kuq e Zi ua kujtojnë gjashtë shqiptarëve të kombëtares së Zvicrës, rastin e basketbollistit Dardan Berisha i cili mbron ngjyrat e reprezentacionit të Polonisë, që nuk pranoi të luante kundër Shqipërisë.

“Prandaj ju kujtojmë se në një rast të tillë ish-reprezentuesi i Kombëtares polake të basketbollit Dardan Berisha nuk u paraqit fare në ndeshjet eliminatore që Polonia i zhvilloi kundër Shqipërisë, sepse ai tha se: nuk mund të luante kundër vendit të tij”, thuhet në lerën e Tifozëve Kuq e Zi me thirrjen “O sa mirë me qenë shqiptar”.

Ndryshe, kjo lojë po pritet me shumë entuziazëm edhe në Kosovë, pasi që për të parën herë në Tiranë ballafaqohen “gladiatorët” më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Shumë kosovarë tashmë kanë blerë biletat për të parë këtë lojë, ndërsa ka të tillë që shkojnë për të parë yllin e Bayernit të Munihut, Xherdan Shaqirin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.