Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se terroristët, qoftë në Siri, Turqi, Francë apo Gjermani, janë armiq të të gjithë njerëzve të lirë dhe mbarë njerëzimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Merkel me rastin e sulmit terrorist që ndodhi të martën në mëngjes në Stamboll, konfirmoi se gjatë sulmit tetë shtetas gjermanë kanë humbur jetën. Ajo theksoi se familjarëve të viktimave u ka përcjellë ngushëllime, duke shtuar se ata nuk janë vetëm në këto moment të vështira.
Më pas përkujtoi se Stambolli sot ishte objektiv i terrorizmit, ashtu siç ishte më herët Parisi, Kopenhagen, Tunizia apo qytete të tjera.
“Terrorizmi global zgjedh objektiva në vende të ndryshme. Objektivi gjithmonë është i njëjtë: jeta e lirë në shoqëritë e lira. Terroristët qoftë në Siri, Turqi, Francë apo Gjermani janë armiq të të gjithë njerëzve të lirë dhe mbarë njerëzimit”, tha Merkel.
Ajo kujtoi edhe sulmin terrorist në Ankara në tetor të vitit 2015, në të cilin humbën jetën mbi 100 persona.
“Gjermanët nuk duhet të harrojnë as njerëzit e Turqisë të cilët sërish ishin cak i terrorizmit”, tha kancelarja gjermane, duke shtuar se Gjermania solidarizohet me popullin turk.
Gjatë shpërthimit i cili ndodhi sot në mëngjes në lagjen historike turistike në Stamboll 10 persona humbën jetën, ndërsa 15 të tjerë u plagosën. Në mesin e 10 personave të vdekur shumica ishin shtetas të Gjermanisë. (IN)