Rron Kryeziu është punësuar në fund të muajit të shkuar në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe menjëherë është transferuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), shkruan sot Koha Ditore.
Transferimi nuk përmbyllet këtu, meqë zyrtari më i ri qeveritar është në rrugë për t’u përcjellë në Ambasadën e Kosovës në Uashington.
Nuk është kjo marrëdhënia e vetme që Kryeziu ka me Qeverinë. Ai është djali i Vlora Dumoshit, shefe e stafit të kryeministrit Isa Mustafa, e njëherësh edhe këshilltare e tij. Mustafa dhe Dumoshi kanë për bashkëpartiak Arban Abrashin, ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale.
Mbështetur në njoftimin e MPMS-së, i publikuar më 18 dhjetor, Rron Kryeziu është zgjedhur si zyrtar për integrim evropian, në Departamentin për integrim evropian dhe koordinim të politikave. Atij i janë dhënë 450,25 pikë. Pikët e kandidatëve të tjerë nuk janë publikuar.
Ka qëndruar vetëm pak ditë në Ministrinë e Abrashit. Menjëherë është dërguar në Zyrën ligjore të Ministrisë që drejtohet nga Hashim Thaçi, kryetar i partisë kryesore në pushtet, PDK-së. (Artikullin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore).