Lajmet e fundit

Thaçi : Do të sigurohen mbi një miliard euro e 10 mijë vende pune

Qeveria e Kosovës, sot ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me Investitorin amerikan Contour Global.  Sipas një komunikate për medie bëhet e ditur se ky projekt do ta bëjë vendin qendër të zhvillimit ekonomik, planifikohen investime mbi 1 miliard euro dhe kështu do të krijohen rreth 10 mijë vende të reja të punës. Ky projekt nga ana e Qeverise cilësohet si projekti më madhor i Republikës së Kosovës, i cili është dhe investimi më i madh direkt i huaj, transmeton Gazeta Tribuna.

Si mysafire nderi në këtë ceremoni ishte edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, transmeton Gazeta Tribuna.

Ndërsa të pranishëm të tjerë ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe Kryeshefi Ekzekutiv për Evropën Juglindore i Contour Global, Garry Levesley.

Në këtë ceremoni kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se po fillohet një investim i rëndësishëm për Kosovën, i cili do të sigurojë furnizim të sigurt me energji, një ndër investimet më të mëdha që është bërë në Kosovë, ndërsa fakti që ky investim vjen nga një investitor privat nga SHBA e ka domethënien e vet të veçantë, sepse bëhet fjalë për besimin e SHBA-së dhe investitorëve privatë në ekonominë e Kosovës.

Ndërsa, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka vlerësuar se nënshkrimi i marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe kompanisë amerikane Contour Global, është një prej momenteve më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Sipas tij, ky projekt do ta bëjë vendin qendër të zhvillimit ekonomik sepse planifikohen investime mbi 1 miliard euro dhe do të krijohen rreth 10 mijë vende të reja të punës.

Edhe Ministri Stavileci theksoi se ky Memorandum Mirëkuptimi ka ardhur si rezultat i negociatave që ekipi i Qeverisë së Kosovës ka bërë me kompaninë Contour Global.

Ai tregoi se kjo norma e ‘Interesit të Kthimit në Kapital’, (IRR), nga 27% është ulur në 21.5%.

Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efikasitet mbi 37 për qind dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MË, duke arritur të balancohet pranueshmëria e efektit në tarifat e energjisë elektrike dhe sigurimi i furnizimit me energji për vendin.

“Tarifat e konsumatorit fundor janë më të ulëta se çdo projeksion i mëparshëm për tërë jetëgjatësinë e projekti, respektivisht lehtë të përballueshme. Investimet kapitale afërsisht 1 miliard euro. Projekti nuk parasheh kontribut financiar të Qeverisë, dhe Fondi prej 10 milionë eurosh për Zhvillimin e Komunitetit, i cili tejkalon buxhetet komunale që preken nga Projekti”, tha Stavileci.

Ministri Stavileci e cilësoi dhe njëherë këtë projekt si projekti më madhor i Republikës së Kosovës, i cili është njëherësh dhe investimi më i madh direkt i huaj, që do të krijojë mijëra vende të reja të punës gjatë fazës së ndërtimit, do t’i përmbushë të gjitha direktivat mjedisore dhe sociale të BE-së dhe do ta sigurojë furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për vendin.

Stavileci tha se ky projekt ka përmbushur kriteret kryesore që ka pasur Qeveria e Kosovës, të cilat ishin siguria e furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëria e çmimeve.

Nga ana tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv për Evropën Juglindore i Contour Global, Garry Levesley tha se ky investim i madh prej 1 miliard eurosh do të rris bruto prodhimin vendor për 1 për qind, gjithashtu do të përmirësojë në masë të madhe furnizimin me energji elektrike në vend.

Pas mbarimit të ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, Ministri Stavileci dhe Garry Levesley mbajtën një konferencë për shtyp, ku shpalosën detaje të projektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.