Lajmet e fundit
Thaçi e Dacic sot për të njëzetën herë bashkë me Ashtonin

Thaçi e Dacic sot për të njëzetën herë bashkë me Ashtonin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, takohen sot bashkë me kryediplomatën e BE-së, Catherine Ashton me synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në përputhje me standardet evropiane.

Ky do të jetë po ashtu takimi i fundit për këtë vit, por cilësohet nga më të rëndësishmit, sidomos për Serbinë, meqë nga rrjedha e tij do të varet vendimi që do të marrë Këshilli i Evropës rreth datës së fillimit të negociatave për asociimin e saj në Bashkimin Evropian.

Siç është paralajmëruar, temë e këtij takimi do të jetë gjyqësori, çështja e fundit e pazgjidhur, siç cilësohet në Bruksel– për zbatimin e Marrëveshjes mbi normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, e arritur para gati tetë muajsh në Bruksel midis dy kryeministrave, transmeton Koha njoftimet.

Të enjten e shkuar midis Thaçit e Dacicit në Bruksel u harmonizuan pikëpamjet rreth policisë, por mbeti gjyqësori.

Zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic, njoftoi se temë bisede në këtë takim do të jetë gjyqësori, ndërsa qëllimi është përparimi sa më i madh në prag të raportit të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton para Këshillit të Ministrave që vendosin për datën e fillimit të negociatave për asociimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. “Do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, një ndër të cilat është gjyqësori”, është shprehur Kocijancic.

Ndërsa Prishtina është shprehur e vendosur që selia e gjykatës të jetë në pjesën jugore të Mitrovicës me degët në komunat në pjesën veriore, Beogradi kërkon që selia të jetë në veri dhe e veçantë nga gjykata në jug, siç e cilëson tash edhe Beogradi–të qytetit të ndarë.

Nga rrjedha e këtij takimi do të varet në fakt nëse hapen negociatat për asociimin e Serbisë në dhjetor, apo në janar, siç kërkojnë Britania e Madhe e Gjermania, duke e lidhur shtyrjen me marrëveshjen rreth gjyqësorit. /Koha/

Leave a Reply

Your email address will not be published.