Kriza politike drejt rrëshqitjes në anarki,kreu i PDK-së nxit përplasjen e qytetarëve
Analistët politikë kritikojnë ashpër pushtetin, që në prag të kontrabandimit të presidentit të ri, me thirrjet e papërgjegjshme, rrezikon ta çojë Kosovën drejt një konflikti civil
Derisa Kosova po e përjeton një krizë të thellë politike dhe institucionale, tash e 6 muaj, për shkak të marrëveshjeve kundërkushtetuese që i ka firmosur Qeveria e vendit më 25 gusht, për të cilat opozita dhe qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e ekzekutivit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, klasa politike që e ka kapur shtetin po sillet sikur në këtë vend nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Përveç injorimit të kërkesave të opozitës dhe atyre qytetare, pushteti po provon tentimin për të kontrabanduar zgjedhjen e kryetarit të shtetit nga një Parlament që është në bllokadë të plotë dhe me opozitë të përjashtuar e në arrest shtëpiak. Analistët politikë konsiderojnë se një sjellje e tillë e papërgjegjshme e partive në pushtet, të cilat përveç injorimit të kërkesave të opozitës në ditën e votimit për president kanë ftuar edhe militantët e tyre për të festuar zgjedhjen e presidentit, është një veprim i pamatur, i cili rrezikon seriozisht rrëshqitjen e vendit në një konflikt civil me përmasa të paparashikueshme. Politologu Faik Krasniqi thotë se zbarkimi në Prishtinë i qytetarëve, mbështetës të dy blloqeve të ndryshme politike, nuk është sinjal i mirë.kosova sot