Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi rezulton se asht i vetmi ministër i Qeverisë së Isa Mustafës që nuk raportue asnjiherë në Komisionet parlamentare.
Edhe pse asht nënshkrues i Marrëveshjes së 19 Prillit 2013 për Normalizimin e Marrëdhanieve mes Kosovës dhe Serbisë prej të cilës, simbas kryeministrit Isa Mustafa, ka derivue edhe Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që asht nji nga arsyet e bllokimit të Kuvendit nga opozita, Ministri i Jashtëm nuk ka raportue asnji herë në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit të Kosovës.
Faktin që Hashim Thaçi ka refuzue dy herë me raportue para Komisionit të Jashtëm e konfirmon vetë Kuvendi i Kosovës.
Mbas interesimit të Televizionit Rrokum, Sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi, thotë se janë dy ministra që nuk i janë paraqitë ftesës për raportim nga komisionet. Sekretari Krasniqi deklaroi se gjatë Legjislaturës së 5 të Kuvendit të Kosovës, ministrat kanë raportue 50 herë përpara komisioneve parlamentare, ndërsa 2 herë nuk janë paraqitë.
I pyetun se sa herë asht ftue në raportim Ministri i Jashtëm në Komisionin e Jashtëm, Krasniqi deklaroi se Ministri i Jashtëm dy herë nuk asht paraqitë në raportim para Komisionit të Jashtëm.
Duket qartë se të dyja herët kur nji ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk asht paraqitë me raportue para Komisioneve të Kuvendit të Republiëks së Kosovës, i përkasin Ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi.
Thaçi asht gjithashtu nënshkrues i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufinit me Malin e Zi, arsyeja e dytë e bllokimit të Kuvendit.
Mosdashja me u përballë me liderin e AAK’s, Ramush Haradinaj, e me shefin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, por ndoshta edhe angazhimet e shumta si kryediplomat mund të kenë qenë arsyet e mosparaqitjes së Thaçit para këtij komisioni, që nga ana tjetër drejtohet nga ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, njiherit edhe mvartës i tij në Partinë Demokratike të Kosovës që drejtohet nga Hashim Thaçi.
Ndërkohë që vetë komisioni për punë të Jashtme nuk ka mbajtë mbledhje që prej 13 shtatorit të këtij viti, edhe pse dy muejt e fundit kanë qenë shumë aktivë për diplomacionë kosovare, shkaku i lobimit për UNESCO’n.
Sa i takon punës së komisioneve të përhershme dhe atyne funksionale të Kuvendit, sekretari Ismet Krasniqi sqaron se gjatë Legjislaturës në vazhdim, janë mbajtë gjithsej 376 mbledhje.
https://www.youtube.com/watch?v=EuqrfHMdB18