Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë ka falënderuar gjithë spektrin politik kosovar për fillimin e një fushate të qetë, korrekte, konstruktive, të standardeve perëndimore, me një pjesëmarrje aktive dhe dinamike të qytetarëve të vendit, ndërsa po ashtu në këtë mbledhje është aprovuar vendimi për heqjen e taksave për veturat e qytetarëve të Luginës.
Kryeministri Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka kërkuar nga ministri i Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë që të përshpejtohen të gjitha procedurat për themelimin e Universitetit Publik të Ferizajt.
Ai shprehu besimin se kësaj radhe edhe në veri do të marrin pjesë edhe pjesëtarët e komunitetit serbë, për çka i ftoj që të angazhohen për pjesëmarrje në zgjedhje dhe integrimin e katër komunave në kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, për të ushtruar autoritetin dhe sovranitetin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Ajo që shihet në këto ditë të fushatës, është se të gjithë janë të zotuar për të punuar për komunën, sa më afër qytetarit, për të punuar edhe më tepër për të ardhmen evropiane të vendit, të standardeve perëndimore, për të punuar për një fushatë të mirëfilltë, për një fushatë me mesazhet më të mira të mundshme në interesin e të gjithë qytetarëve”, tha Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin me lidershipin e komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
“Ne urojmë lidershipin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të vazhdojë ky dialogun me Qeverinë e Beogradit. Gjithmonë i kemi përkrahur dhe i mbështesim kërkesat legjitime, për afirmimin e të drejtave kombëtare, politike, demokratike të tyre. Në të njëjtën kohë, unë kam shqyrtuar kërkesën e lidershipit të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë kresa edhe të qytetarëve atje, për heqjen e taksave për veturat në vendkalimet kufitare për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kur hyjnë në territorin e Kosovës. Këtë kompensim do ta bëjë Qeveria e Kosovës dhe ministria e Financave duhet të angazhohet që ta implementojë këtë vendim’, tha ai.
Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për heqjen e taksave për veturat e qytetarëve të Preshëvës, Bujanovcit dhe Medvegjës që hyjnë në Kosovë.
Në vazhdim Qeveria ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës.
Në këtë mbledhje të Qeverisë, Thaçi ka kërkuar nga ministri i Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë që të përshpejtohen të gjitha procedurat për themelimin e Universitetit Publik të Ferizajt.