Hashim Thaçi njihet si një ndër njerëzit më të pushtetshëm në politikën kosovare, njëherit ndër më të kritikuarit nga opozita. Për dy mandate udhëhoqi me Qeverinë e Kosovës dhe në qeverisjen aktuale, pas marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së, ai pranoi të jetë zëvendës i kryeministrit Isa Mustafa në kabinetin e ri qeveritar. Që nga fillimi u tha se do të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës, por vet e zuri në gojë shumë rrallë.
Në një intervistë për KosovaPress, Thaçi në mënyrë indirekte pranoi se në rast të marrjes së përgjegjësive të presidentit të Kosovës, do t’i duhet të lë pozitën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndërkohë, thotë se është i bindur se zgjedhja e presidentit nuk do të krijojë ndonjë dramë politike në vend, dhe se përzgjedhja e pasardhësit të tij në partinë të cilën e udhëheq për gati dy dekada, do të jetë në dorën e kryesisë dhe anëtarësisë së partisë.
Thaçi në mandatin e tij si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, u kritikua shumë për pasivitet dhe mos sukses në prurjen e njohjeve të reja për vendin. Për këtë, ai thotë se nuk është në personalitetin e tij të mburret me punët që kryen , por thotë se edhe njohjet e mbi 100 shteteve për Kosovën duhet kujtuar se erdhën në kohën kur ai ishte shef i Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë, për numrin dy të Qeverisë, Kosova në vitin që lamë pas ka pasur përparime. Thaçi, tha se rritja ekonomike në vitin që shkoi ka krijuar vende të reja pune dhe Kosovës iu sollën investitorë ndërkombëtarë.
Edhe pse pak janë parë investimet e huaja në Kosovë, Thaçi tha se të mira të tjera do t’i vijnë vendit gjatë vitit të ri.
“Në veçanti, tash në procesin e privatizimit të Qendrës së Skijimit në Brezovicë ku do të kemi rreth 4 mijë vende të reja të punës, janë investitorë të fuqishëm ndërkombëtar. Kam besim të plotë që ky proces dhe ky privatizim do të ketë sukses të plotë dhe Kosova do ta ketë definitivisht Qendrën Turistike Dimërore më atraktive në rajon. Në të njëjtën kohë është lajm jashtëzakonisht i mirë edhe përmbyllja me sukses e procesit e ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, një projekt ky ku do të investohen mbi 1 miliardë euro nga një kompani amerikane, e që do të mund të krijohen gjatë atyre pesë viteve të punës rreth 10 mije vende të reja të punës. Kosova do të bëhet një qendër energjetike në rajon, kështu që unë kam besim të plotë që edhe në ekonomi do të bëjmë hapa të rëndësishëm dhe thelbësor. Mund të themi që të kuptohen dhe të ndryshojnë jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës.
Thaçi është optimist se ky vit do të sjell plot të mira për Kosovën. Forcat e Armatosura të Kosovës, fillimi i procesit për partneritet me NATO-n dhe liberalizimi i vizave, janë tri nga pikat e rëndësishme që ven di do t’i prek gjatë këtij viti, tha Thaçi.
“Do të punojmë me të madhe, do të punojmë shumë fuqishëm në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe fillimin e procesit të partneritetit për paqe , pra NATO-në. Në të njëjtën kohë liberalizimi i vizave do të ndodh në vitin 2016, kështu që të gjithë parametrat janë pozitivë për Kosovën”, tha ai.
Hashim Thaçi i tha KosovaPress-it se koalicioni qeverisës PDK-LDK, i formuar pas prishjes së bllokut opozitar VLAN, ka bërë punën më të mirë të mundshme, me gjithë vështirësitë dhe pengesat të cilat ka pasur me reformat e rëndësishme që ka zbatuar.
Ai kujtoi se është bërë shumë progres në vazhdën e betejës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftës kundër terrorizmit, progres i cili, siç tha Thaçi, edhe nga vetë sekretari amerikan, John Kerry është vlerësuar lartë, duke e cilësuar Kosovën si kampione në luftën kundër terrorizmit në rajon.
Sipas tij, vendit i duhej një qeverisje e dy partive më të mëdha që posedojnë shumicën e votave, çka tregon për stabilitet politik dhe zhvillim të vendit.
“…Mund të them lirisht se ka qenë një koalicion që i është dashur Kosovës, sepse Kosovës i duhet stabiliteti politik, institucional dhe marrje e përgjegjësive shtesë para bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj, vlerësoj se koalicioni PDK-LDK dhe të tjerët është një koalicion dhe formulë e pranueshme e vullnetit të qytetarëve, e pranueshme ndërkombëtarisht dhe bashkëpunuese me SHBA-në, BE-në dhe mund të them sfiduese me problematikat me të cilat është sfiduar Kosova, prandaj ka qenë një vendim i drejt, i arsyeshëm dhe pozitiv për Kosovën”, tha Thaçi.
Sipas marrëveshjes së arritur mes dy partnerëve të koalicionit qeveritar, posti i Presidentit të vendit do të duhej ti takonte PDK-së, ndërkohë që zhurmës së madhe dhe ripërsëritjes së vazhdueshme të Mustafës se Thaçi do të jetë president i ardhshëm i Kosovës, vetë Hashim Thaçi nuk i përgjigjet drejtpërdrejt. Megjithatë, ai lë të kuptohet se është i vetëdijshëm që marrja e përgjegjësive presidenciale do ta detyroj të dorëhiqet nga funksionet e partisë së cilës i shërbeu për 17 vite.
“Jam i vetëdijshëm se me përgjegjësin presidenciale natyrisht se kufizohen ato angazhimet, apo ndërpriten definitivisht angazhimet partiake. Por ndihem tepër mirë dhe shumë krenar që për 17 vite pothuajse e kam udhëhequr Partinë Demokratike të Kosovës. Kemi shënuar gjashtë parë zgjedhje, fitore të njëpasnjëshme në tre palë zgjedhje të përgjithshme dhe lokale. Dua të potencoj gjithashtu se PDK është një parti e një koncepti, një filozofie dhe vlerave të njerëzve që kanë punuar bashkërisht. Kurrë nuk i ka takuar një individi dhe nuk do t`i takojë…”, tha Thaçi.
Sipas tij, PDK do të vazhdojë të funksionojë si është më së miri edhe pas zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, gjatë këtij viti.
“PDK do të vazhdoj të funksionoj shumë mirë, kam besim të plotë në lidershipin e saj që do të vazhdoj të luaj rolin e vet bashkëpunues me gjithë spektrin politik kosovar duke u fokusuar në fortësimin e koalicionit aktual si dy partitë më të mëdha të qendrës së djathtë politike në Republikën e Kosovës. Prandaj, nuk pres ndryshime dhe nuk pres ndonjë dramë ne skenën politike kosovare pas zgjedhjes së presidentit të Kosovës, në muajin shkurt 2016”, tha Thaçi në intervistën për KosovaPress.
Në pyetjen nëse ekziston mundësia që Kadri Veseli të jetë kryetari i ardhshëm i PDK-së, Thaçi tha se nuk është në dorën e tij që të zgjedh pasardhësin e tij në krye të partisë.
“.. . zotëri Veseli ka atributet, ka vlerat, ka standardet e një personaliteti udhëheqës shtetëror të Republikës së Kosovës, por unë nuk jam ai që e përcaktoj dhe e emërojë liderin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës. Ndihem jashtëzakonisht mirë dhe krenar me bashkëpunimin e shkëlqyer dhe me kryetarin e Kuvendit – Kadri Veselin”, tha kryetari i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkohë, në lidhje me protestën që është paralajmëruar të mbahet të shtunën e ardhshme nga opozita e bashkuar, e cila tashmë kërkesë ka edhe dorëheqjen e kryeministrit dhe zëvendësit të tij, Thaçi tha se opozita duhet të mësohet të respektojë rezultatet zgjedhore.
”Unë mendoj se ne duhet të mësohemi të respektojmë rezultatin zgjedhor. Dduhet të mësohemi të respektojmë mandatet qeverisëse , duhet të mësohemi të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet. Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjet . As Qeveria , as opozita , asnjë individ. Askush nuk duhet të pretendojë të uzurpojë Kuvendin apo institucionet përmes metodave jodemokratike. Megjithatë, është e drejtë e secilit të protestojë, është e drejtë e secilit të ngrisë zërin , është e drejtë e secilit të shpreh atë çka mendon dhe problemet e caktuara të cilat i kemi”, tha Thaçi.
Ai kujtoi se Qeveria e Kosovë, kryeministri Mustafa, kryetari i Kuvendit, Veseli dhe presidentja Jahjaga, kanë ftuar për dialog opozitën, sepse vetëm dialogu është zgjidhja e vetme për tejkalimin e kësaj, që sipas tij është e improvizuar nga opozita. Ai i dërgoj edhe një mesazh opozitës pak ditë para protestës së madhe të thirrur nga tr i partitë opozitare.
“… mesazhi im është: Kosovës sot i duhet ky dialog për reforma. Ndërsa sa i përket koalicionit, them se është jashtëzakonisht stabil me një mazhorancë shumë të fuqishme, me legjitimitet jo vetëm në çështje numrash. Prandaj vlerësoj se në interes të të gjithëve do të ishte që të kishim edhe një opozitë me të vërtete të fuqishme, demokratike dhe në suaza të veprimit demokratik”, tha Thaçi.