Ish- drejtori për Arsim në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, e ka shpallur veten kundërshtar të opozitës, njofton Gazeta Blic.
Kjo pasi, siç thotë ai, Opozita po përdor forma të dhunës për t’i kundërshtuar marrëveshjet.
Megjithëkëtë, ai ka theksuar se kundërshton fuqishëm edhe këto dy marrëveshje.
Shiko postimin e tij të plotë, të publikuar në facebook:
Unë, Jusuf Thaçi, qytetar i Republikës së Kosovës, që nga sonte po vetëshpallem kundërshtar i subjekteve politike opozitare, për shkak të mjeteve e metodave të tyre të dhunshme që po përdorin për kundërshtimin e Zajednicës dhe Demarkacionit.
Por, me tërë qenien time vazhdoj të jem kundër marrëveshjes për Zajednicën me Serbinë dhe kundër marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.
E tash, a mundet dikush të më tregojë ku janë ata individë e grupe individësh, organizata e grupe organizatash që ma mundësojnë mua si qytetar realizimin e kundërshtimit tim për ato dy marrëveshje?!
A mund të më tregojë dikush se sa konferenca, tribuna, takime qytetare, diskutime, debate, marshe, manifestime e protesta paqësore kanë organizuar këta individë e organizata për kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve?!
Nëse opozita paska kauza të drejta e mjete/metoda të papranueshme, atëherë hajdeni ju kritikuesit e opozitës na ofroni mundësi e mjete të pranueshme për të kundërshtuar këto dy marrëveshje. Unë i pari ju bashkëngjitem.