Lajmet e fundit

Thaçi – opozitës: Pranoni marrëveshjet, mos kërkoni zgjedhje!

​Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson se, marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe nënshkrimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi janë tanimë përgjegjësi e shtetit të Kosovës, në raport edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

Në një intervistë për Top Channel, Thaçi ka thënë se, Qeveria do të respektojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i cili – sipas Thaçit, – në asnjë rrethanë nuk do të ketë karakter ekzekutiv, legjislativ apo të pushtetit të tretë.

Kështu që, Thaçi fton partitë opozitare, që të pranojnë mendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos kërkojnë zgjedhje.

“Sa i përket zgjedhjeve, kjo nuk është çështje individuale apo partiake. Edhe unë kam qenë në opozitë dhe shpeshherë kam shpresuar se, në muajt në vijim do të mund të mbaheshin zgjedhje, por nuk ndodhte ashtu. Kështu që duhet të mësohemi përfundimisht që, duke mos ua humbur shpresat opozitarëve, ne duhet të mësohemi të respektojmë afatet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e zgjedhjeve, ato lokale në vjeshtën e vitit 2017 dhe ato të përgjithshme në qershor të vitit 2018”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Pas 17 viteve në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur se, marrëveshja e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës do të zbatohet në tërësi dhe ai, në muajt e parë të vitit 2016 do të zgjidhet President i Kosovës.

“E them në mënyrën më të sinqertë të mundshme, që kjo është një çështje që më shqetëson këto ditë apo në këtë kohë. Unë kam pasur mundësi të zgjidhem President i Republikës së Kosovës 2 apo 3 herë. Nuk është ndonjë betejë jetësore e imja. Ndihem tepër mirë, që e kam udhëhequr Partinë Demokratike të Kosovës prej 17 vitesh në një garë elektorale, duke fituar tri palë zgjedhje njëra pas tjetrës, tri nacionale dhe tri lokale. Edhe sot, PDK është partia numër një në Republikën e Kosovës. Ne do ta respektojmë në tërësi marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kështu që, nuk kam asnjë arsye që të ngrej ndonjë dilemë, sa i përket implementimit në tërësi të saj”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Kryediplomati kosovar ka folur edhe për akuzat e bëra kohët e fundit ndaj Bashkimit Europian për vonesat në liberalizimin e vizave.

Thaçi tha se ka biseduar me shumicën e krerëve të BE-së dhe vlerëson se, kritikat e tij kanë pasur efektin e duhur në drejtim të përshpejtimit të liberalizimit të vizave.

“Shihet një rimendim në drejtim të hapave konkretë për rekomandimin për procesin e liberalizimit të vizave. Unë kam diskutuar me shumicën prej tyre dhe u kam thënë qartë se, Kosova është ngopur me fjalë të bukura, formulime ‘procesi europian’, ‘perspektiva europiane’. Qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave, institucionet e Kosovës i kanë kryer punët e veta. Kështu që, unë dua të besoj se janari duhet të jetë muaji, kur do të ndodhë përfundimisht rekomandimi për liberalizimin e vizave”, tha Hashim Thaçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.