Hashim Thaçi: Në dyjavëshin e parë të muajit shkurt do të hyjmë në proces të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. Nuk ka asnjë arsye që të kemi ndryshime.
Partia Demokratike e Kosovës do ta respektojë në plotni marrëveshjen me anëtarin e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në dy javët e para të muajt shkurt të viti të ardhshëm do të hyjmë në procesin e zgjedhjes së presidentit ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën e tij në Radio Televizionin e Kosovës, duke treguar kështu tërthorazi se ai do të bëhet President i Kosovës ashtu siç e parasheh marrëveshja me LDK-në.
“PDK do ta respektojë në plotni marrëveshjen e arritur me LDK-në, në këtë drejtim ne do të punojmë për hapat tonë të mëtutjeshëm, do të respektojmë periudhat kohore kushtetuese dhe ligjore për zgjedhjen e presidentit”.
“Prandaj vlerësojmë se në dyjavëshin e parë të muajit shkurt do të hyjmë në këtë proces të zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës”.
“Nuk ka asnjë arsye që të kemi ndryshime, jemi partnerë serioz dhe kemi besim reciprok”, tha Thaçi.