Lajmet e fundit
Thaçi, Rama e Erdogan përuruan terminalin e ri të Aeroportit

Thaçi, Rama e Erdogan përuruan terminalin e ri të Aeroportit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan inauguruan terminalin e ri të Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të familjes ‘Adem Jashari’, zyrtarë të lartë vendorë e ndërkombëtarë.

Bekim Jashari, drejtor i Bordit të ANP-së, edhe në emër të familjes “Jashari” falënderoi të pranishmit, duke thënë se kjo është një ditë e veçantë për Kosovën.

“Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti i bekoftë shqiptarët”, tha ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se nuk mund të kishte emër më të duhur për ANP, se emri Adem Jashari.

“Adem Jashari është emri i krenarisë së këtij vendi. Dhe nga sot Kosova e re do të presë me krenari legjitime miqtë e vet që shtohen dita ditës. Urime me gjithë zemër për këtë vepër të shkëlqyer të këtij shteti pesë vjeç, që këto pesë vite ka kapur shumë nga koha e humbur, duke u bërë një shembull admirues për rajonin”, tha ndër të tjera, Rama.

“Nuk mund të kishte një ditë më të bukur se kjo e sotmja, plot krenari e plot diell si kjo e sotmja”, tha Rama, për të pritur kryeministrin Erdogan, “vëllanë tonë të pandarë, në festa dhe vështirësi”.

Ndërkaq, kryeministri turk, Erdogan për këtë sukses e përgëzoi kryeministrin Hashim Thaçi dhe konsorciumin turko-francez.

Ai tha se çdo herë që vijnë në Kosovë, shohin përparime. Erdogan shpresoi se do të ketë një zhvillim edhe më të hovshëm, duke shprehur mbështetjen e Turqisë për zhvillimin e mëtejmë. Ai tha se Kosova është vend mik i Turqisë.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi me këtë rast u tha se kjo është një ditë historike për Kosovën.

Thaçi falënderoi kryeministrin turk, Erdogan për njohjen e shpejtë që Turqia ia ka bërë shtetit të Kosovës dhe lobimin për shtimin e njohjeve të Kosovës.

Ai tha se Kosova është shtet i mundësive të mëdha. Thaçi paralajmëroi se pas një muaji do të përurojnë edhe autostradën.

“Po e ndërtojmë Kosovën, si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj, Kosovën e ëndrrave, Kosovën evropiane”, tha Thaçi.

Pasagjerët e parë tashmë kanë kaluar në terminalin e ri. Ky është një investim në vlerë prej 130 milionë euro, me një kapacitet për 4 milionë persona.

Leave a Reply

Your email address will not be published.