Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, ka deklaruar në Info Magazine të Klan Kosovës se, me problemet e vendit si korrupsioni i Qeverisë e shkeljet e ligjit, nuk do të duhej të merrej Lëvizja Vetëvendosje, si lëvizje politike, por vet shoqëria civile, njofton Klan Kosova.
Por, kjo e fundit nuk po e bënë këtë luftë, sepse, sipas Topallit, shoqëria civile në Kosovë nuk është e mirëfilltë ose, kur merret me problemet e vendit është në krah të pushtetit.
“Betejat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtetet e Bashkimit Evropian janë beteja që i zhvillon shoqëria civile, si kundër-korrupsionit, kundër shkeljes së ligjit, këto beteja nuk do të duhej t’i bënim ne si lëvizje politike”.
“Ne nuk kemi shoqëri të mirëfilltë civile sepse ose është avokate e Qeverisë, ose është politikisht jashtë rendit ose e bëjnë punën vetëm sa për të marrë donacione”, ka deklaruar Topalli.
Një deklaratë të ngjashme, po në Info Magazine, e kishte dhënë muajin e kaluar edhe Driton Lajqi, këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili kishte akuzuar organizatat e shoqërisë civile se janë jotransparente dhe të korruptuara.
Më pas Kadri Veseli kishte kërkuar falje për deklarimet e këshilltarit të tij.