Lajmet e fundit

Tradhtia e tretë dhe e vërtetë e Isës!

Nga Beqë Cufaj

Si duhet të ndjehet sonte Isa- Kryeministri i Republikës së Kosovës kur gjysma e vendit që po e qeverisë në Janarin e vitit 2016 është në terr- pa drita por edhe pa shpresën për jetë më të mirë, liri të lëvizjes, vende të punës etj.etj. Them që këto ditë s’e ka hallin e energjisë elektrike. As atë të gjendjes ekonomike. Ka probleme tjera- shkaktar i të cilave s’është askush tjetër pos vetja e tij.

I rrij mendimit se Isa ka qenë dhe është për ta bërë të dytin- në politikë. Në kohën e Komunizmit ishte një prej Kryetarëve (asosh prej të dytëve- prandaj Qosja e tepron kur i thotë kryekomunist), në kohën e Qeverisë po i dyti- pas Bujarit, në pasluftë, pas “Riinvestit” duke iu falenderuar miqësisë së paraluftës e ftoi Fatmir Sejdiu dhe në një formë a tjetrën- shikuar nga prizma e këtij të fundit- e tradhtoi dhe ia mori partinë. Me programin dhe shpresën që Isa vërtetë do ta ndërronte “lëvizjen shtetformuese” dhe kthente asaj “frymën rugoviane”. Edhepse i humbi tre palë zgjedhje dhe sidomos Prishtinën- traumë kjo nga e cila edhe sot e kësaj dite s’është rekuperuar- LDK-së ia dha shpresën që po e ringjallë sidomos kur vendosi të bëhet pjesë e Bllokut LVAN. Në mënyrë që “SHIK”-un dhe PDK-në t’i linte në opozitë.

Çdo gjë tjetër është histori. Sepse edhe ikja e tij nga Blloku ishte një tradhti klasike alla Isa. Albini, Ramushi dhe Fatmiri zor që do t’ia falin ndonjëherë.

Isa u bë Kryeministër por qoftë si kryetar i LDK-së ashtu edhe si Kryeministër i Kosovës- dyfish tradhtoi vetveten. Dhe jo vetëm. Premtoi që si Kryetar i Partisë do të sillte reforma, freski, njerëz të ri. Shihne LDK-në sot? Një ent për punësim të inxheve dhe bac-ve nga Llapi e Gollaku. Ua mbylli dyert kundërshtarëve në Kuvend të kësaj partie- gjë kjo poaq e rëndë sesa Kuvendi i Karrigeve. Dhe para së gjithash u lidh me ata kundër të të cilëve edhe kishte premtuar, ishte betuar, kishte bërë be, që do t’i largonte nga pushteti. Duke e nxjerrë përtoke anëtarësinë e tij: të dorëzohet libreza apo të kërkohet një vend pune prej saj. Mori postin e Kryeministrit dhe ashtu si në parti- në krejt Kabinet s’arriti të shkonte afronte njerëz përtej Havollëve e Dumoshëve… Dhe pranoi që si i pari- në fakt të jetë i dyti. Sepse dihet kush e ka fjalën aty. Të jetë Isa kaq naiv sa ashtu, vetvetiu, të jetë hedhur në gjiun e gjarpërit?

Dhelpëra dhe Gjarpëri- ky është një prej kombinacioneve më interesante dhe të paprovuara në historinë më të re politike të Kosovës.

I pari që tërë karrierën e tij meteorike e ka ndërtuar mbi dy lëvizje- në fushbetejat e politikës pa moral dhe parime. I dyti- çdo gjë i ka shkuar në gji- e ka gëlltitur pa e pyetur kur e si! Kush pra do ta gëlltisë kë këso radhe? S’e besoj që këtë tash për tash ta dijnë as njëri- as tjetri. Edhepse maten tërë kohën. Isa e din që gjatë me ta s’e ka. Hashimi si President menjëherë në vjeshtë do t’ia dërgon një selam që duhet t’ia lëshon karrigen e Kryeministrit, Kadri Veselit. Kurse hamendja e Isës t’i ikë qysh tashti është matematikë e vështirë sepse s’ka me kënd të bëhet para dhe sidomos pas zgjedhjeve të mundshme në pranverë: Albini, Ramushi e Fatmiri s’duan ta kenë afër.

Por në fakt kjo është e vetmja mundësi që ai e ka. T’u ikë më shpejt që të mos e përjetojë poshtërimin nëpër të cilin kaluan Sejdiu e Pacolli. Me këtë dhe asnjë lëvizje tjetër ai mundet të mbijetojë. E mobilizon partinë dhe u thotë qytetarëve që s’u bë të qeveriset me PDK-në. Edhepse e kam zor, pothuajse të pamundshme ta besoj që Isa ta ketë fuqinë, elanin dhe para së gjithash vizionin të del nga qorrsokaku në të cilin e ka katandisur veten. Dhe sidomos LDK-në. Duke e bërë atë orbitë të PDK-së.

Apo s’po e kupton Isa pse ka filluar t’i ndalet rryma. Kohë as rrugë s’ka dhe i duhet të vendosë. Sa herë që po i thotë se do ta  mbajë premtimin për Presidentin aq më shumë po ikë. Dhe pyet: Hashimin ose vetveten? Gjithsesi ngjau e para apo e dyta do të jetë e treta tradhti e Isës. E treta- e vërteta. Në terrin e Kosovës edhe askush s’e sheh askënd. Pyetja është vetëm kush po e bën: gjarpëri apo dhelpëra.  Që të dyve po u ngutet sepse e kanë zanat dhe e dijnë: kur kapen dy- i treti e merr krejt! Prandaj pritet sulmi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.