Në ujërat e Mesdheut vazhdon të konsumohet një tragjedi e heshtur, me numrin e të vdekurve më shumë sesa të dyfishuar në 2015-n, në krahasim me një vit më parë: nga 1.600 që ishin jetët e humbura gjatë 2014-s, sivjet kanë qenë mbi 3.200.
Alarmin e jep monsinjor Gian Carlo Perego, drejtor i Fondacionit “Migrantes” në Itali, sipas të cilit vazhdojnë me po të njëjtin ritëm edhe vdekjet e fëmijëve. Që nga fillimi i vitit, ato llogariten në më tepër se 700.
Perego nuk u mjaftua vetëm me përcjelljen e shifrave, por kritikoi ashpër krerët europianë, duke thënë se Europa gjen gjithmonë burime, atëherë kur është fjala për të lëshuar bomba diku, ama kur është në diskutim shpëtimi i jetëve të pafajshme, aty mundësitë i mungojnë.