Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, thotë se skuadra nga Shqipëria po shkruan një faqe të re në historinë në futbollit shqiptar me sukseset e saj në Europa League.
Nënkampioni i Shqipërisë mbrëmë mposhti me rezultat 2-0 skuadrën ukrainase Metalurg Donetsk në ndeshjen e parë të rundit të tretë të garës evropiane, dhe është një hap afër kualifikimit për në play-off.
“Ne po bëjmë histori. Jam i kënaqur me rezultatin, por ne kemi ende shumë punë për të bërë. Metalurg është një skuadër e fortë, por ne po luajmë mirë dhe unë jam krenar me përpjekjet e ekipit”, citon trajnerin shqiptar faqja zyrtare e UEFA-së.
Fitorja e Kukësit është befasia më e madhe e këtij rundi, duke marrë parasysh se shqiptarët kanë koeficientin më të ulët nga 58 ekipet e mbetura në rundin e tretë kualifikues.
Kukësi ka kaluar pesë ndeshje si i pamposhtur në sezonin debutues në Evropë, pasi në dy rundet e para eliminoi FC Flora Tallinn dhe FK Sarajevo.