Nga Beqë Cufaj
Ishin të çuditshme skenat pas përfundimit të Protestës të së shtunës. Portalet pro-qeveritare, të PDK-së në njërën anë e LDK-së në anën tjetër, dukshëm të shokuara që nuk kishin mundur as ta ndalonin masën e njerëzve që kishin mësyer Kryeqytetin e as të bënin lojën e moçme të “bishtërimit” dhe “poshtërimit” për “numrat” e pjesmarrësjes- sikurse të dirigjuara nga një pult kryeredaktori shfaqnin imazhet e dhunës për të cilën, opozita, liderët e saj dhe organizatorët me siguri që nuk kishin ftuar. Sepse, poqese do kishin dashur e kanë patur më të lehtë ta bënin atë gjë kur ishin në podiume. Një shenjë me dorë dhe stuhia e popullit para ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit do të “pushtonte” a shkretonte çdo gjë. Thënë shkurt: as Karl Bildt-i (ish-miku i Milosheviqit) por as Sebastian Kurz-i, jarani i Hashimit, me cicërimat e tyre plotësisht të pavenda, nuk mundën të ndalnin të vërtetën e djeshme: trandjen e pushtetit nga ajo masë e njerëzve.
Marshi i së dieles i Ramushit, Visarit dhe Fatmirit drejt sheshit ku të shtunën ishin kryepersonazhet nuk la përshtypje triumfalizmi tek asnjëri prej tyre. Heshtja e së dieles e Hashimit, Isës dhe Kadri Veselit pas prononcimeve sa të pamenduara mirë aq edhe fatkeqe të shtunën në mbrëmje, duhet të jenë shenjë që si njëra ashtu edhe pala tjetër do të duhej të mendohen mirë e mirë para se të bëjnë hapat e ardhshëm.
Shumë hapësirë dhe sidomos kohë, nuk ka.
Për opozitën e cila, në mos me ndjenjë triumfi atëherë trimërie po se po, don të veprojë shpejt dhe para së gjithash ndalojë zgjedhjen e Hashimit President. Ky i fundit, Hashimi pra, është bukur në panikë. E din që një muaj shkon sa çel e mshel sytë. Është si i sigurtë pokështu që Ramushi, Albini dhe Fatmiri më s’kanë nevojë të gjuajnë gaz në Kuvend nëse shkon votimi për të si President në Kuvend, sepse një marsh popullor, vetëm edhe një herë të ngjajë në përmasat e së shtunës atëherë o bjen Qeveria o derdhet gjak dhe në rastin më të keq siç është “zakoni” në këto situata: ngjajnë që të dyja.
Them se opozita ende s’e ka kuptuar një fakt të rëndësishëm. Që ata njerëz që mësyen e u mblodhën në sheshin kryesor të Kryeqytetit s’ishin veç militantë të partive të tyre. Që qytetarët e vendit s’janë as për Zajednicën e as Demarakacionin, por para së gjithash, s’janë për korrupsionin e Qeverisë i cili po ua poshtëron jetën, rrezikon ekszistencën dhe cenon të ardhmen për fëmijët e tyre që po rriten në atë nënqiell.
Koalicioni i “komandantave”, “doktorave”, “magjistrave” e “magjistricave” e ka kuptuar dje që është një masë e madhe, e padukshme e të pakënaqurve e cila shënon veç fillimin e hapjes së një filtri të vogël: atij të shprehjes së rrebelimit me çdo gjë në këtë Kosovë si është. E më keq sesa është- s’ka ku shkon!
Opozita dhe sidomos Albini, Ramushi e Fatmiri duhet që urgjentisht edhe edhe më shumë ta vënë lëvizje “jo”-në e tretë kundër këtij Koalicioni. Në fakt, për vegjëlinë time dhe për krejt atë popull është “jo”- e parë.
Jo Korrupsionit /Jo Asociacionit/ Jo Demarkacionit duhet të jenë pikat që qytetarit t’i transmetohen. Aktivistët e këtyre partive dhe miqtë e tyre të shumtë- nga mediat e deri tek organizatat Joqeveritare, në vend se të “kapen” me portalet e “këshilltarët” e shefave në pushtet, duhet që thjesht me klikime të kapërcejnë nga vegëza në vegëz nëpër Institucionet virtuale të këtij pushteti monstruoz dhe do të shohin: Korporatën PDK-LDK në çdo Bord Publik, Tenderë nga letra wc-je e deri tek milionat fiktivë për “investime” madhore dhe deri në punësime të çmendura nga Zëvendësministrat e deri tek pastrueset e pushtetit. S’them asgjë të re: koalicioni PDK-LDK është punëdhënësi më i madh dhe me këtë edhe zaptuesi më i madh i shtetit. Nuk mjafton pra veç shkelja e Kushtetutës sa është e dobishme që qytetarit t’i tregohet që me këta njerëz në pushtet ky vend s’do të merr as Liberalizim e as Integrim. E lëre më të ardhme normale- me vlera evropiane.
Duhet këta njerëz të ndalen disi. Të bien me dy këmbë në tokë- në mënyrë që mëpas, pasi t’i lëshojë deliri i të gjithëpushtetshmëve të fillojnë të mendojnë nëse duan të respektojnë rregullat themelore të një demokracie: ato të respektimit të ligjit. Me këto denoncime kundër korrupsionit- siç tash e disa muaj kanë ngjarë me Asociacionin e Demarkacionin, Kosovës i kthehet një fije shpresë. Që do ngjajë ndryshimi- kaq i domosdoshëm.