Ndriçim Kulla
Vitet 1973-1975 mund të quhen si vitet më të këqija që kishte kaluar Kadareja deri në atë kohë. Pas fushatës kundër romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, erdhi goditja e “Pashallallarëve të kuq”, që mund të quhet si një gjysmë gjyqi i vërtetë penal për shkrimtarin (nuk duhet harruar se gjyqet në atë regjim nisnin pikërisht në mbledhjet e partisë). Në këtë atmosferë, shkrimtari u tremb seriozisht për jetën e tij.
Ai e kuptonte, se ndërsa diktatura nuk mund ta vriste me një gjyq formal, siç kishin dëshirë konservatorët, mund ta bënte këtë gjë me shumë mënyra të tjera. Varianti i preferuar i Sigurimit të Shtetit për ta vrarë shkrimtarin, siç doli më pas, ishte që të inskenonte vrasjen e tij nga të persekutuarit politikë, pra nga antikomunistët, në mënyrë që ta lidhte shkrimtarin e vdekur përjetësisht me diktaturën dhe me komunizmin shqiptar. Domethënë se antikomunistët e vranë shkrimtarin si hakmarrje për portretin që ai i bëri Enver Hoxhës.
Madje edhe dërgimi i shkrimtarit në Lushnjë, pranë një fshati të internuarish, pasi shkrimtari kishte shprehur dëshirën për t’ u larguar nga Tirana, dukej se ishte bërë në kuadrin e këtij plani të vrasjes së tij, kuptohej nëqoftëse diktatori do të jepte lejen. Shkrimtari e ndjente rrezikun e vdekjes por ishte i pafuqishëm të bënte ndonjë gjë për t’ u mbrojtur. E vetmja gjë që mund të bënte shkrimtari ishte që të linte mesazhe për të ardhmen ku të shpjegonte të vërtetën e vdekjes së tij.
Dhe Kadareja e bëri këtë gjë tre herë me anë të veprave të tij letrare. Së pari e bëri këtë gjë te romani “Nëntori i një kryeqyteti”, që ishte romani i fundit që botoi Kadareja para se në 1975 t’ i ndalohej botimi i romaneve për trembëdhjetë vjet.
“Nëntori i një kryeqyteti” është një tjetër roman pa hero pozitiv. Personazhi kryesor është shkrimtari Adrian Guma, një shkrimtar apolitik, që kalon një krizë si shkrimtar në Tiranën në nëntorit 1944, në prag të ardhjes së komunistëve në pushtet. Adrian Guma është një personazh negativ sipas këndvështrimit të letërsisë së realizmit socialist. Nuk është rastësi që ky roman i Kadaresë u shkrua pikërisht në kohën më të vështirë për të. Pikërisht në këtë periudhë të jetës së tij, Kadareja nisi të mendojë thellë për fatin e shkrimtarëve shqiptarë të periudhës para 29 nëntorit të 1944 – ës. Romani është një homazh për brezat e humbur të shkrimtarëve shqiptarë. Nuk është e vështirë që të kuptohet se Kadareja e identifikon veten me Adrian Gumën.
Duke përshkruar Adrian Gumën në roman, Kadareja për herë të parë ka përshkruar atë që ai më pas do ta quante “kalendari i dytë i shkrimtarit”, koha personale e shkrimtarit, jashtë kohës së përgjithshme. Në roman, shkrimtari Adrian Guma kërkon të gjejë kohën e vet, jashtë kohës. Duhet të kalonin shumë vite dhe të botoheshin librat e Kadaresë “Ftesë në studio” dhe “Pesha e kryqit” që të kuptohej se shkrimtari kishte futur te personazhi i Adrian Gumës përpjekjen e tij për të krijuar kohën personale. Te libri “Pesha e kryqit”, më duket mua , se Kadareja e përshkruan më mirë këtë gjetje të tij, që është përpjekur ta përshkruajë edhe një herë më parë: Në “Ftesë në studio” jam përpjekur të përshkruar atë që quhet “kalendari i dytë i shkrimtarit”.
Është padyshim një nga mbrojtjet e tij. Shkrimtari është disa jetësh. Në çastet e rënda të tij ato, me sa duket këmbejnë njëra tjetrën, ashtu siç këmbeheshin kuajt e korrierëve të dikurshëm. Shkrimtari jeton, ecën, kalëron midis ditëve banale të jetës, por ti nuk di mbi ç’ kalë ka hipur. Ti e godet, përpiqesh ta rrëzosh, por ai është, ndërkaq, mbi një kalë të parrëzueshëm nga heshta jote.
Shkrimtari është gjithmonë gjetkë. Ti e bombardon strehimin e tij e ai ndodhet në tjetër strehim. Ti e shikon në bankën e të akuzuarit, në polici, në baltërat e kooperativave bujqësore socialiste, e ai ndodhet ndërkaq, në studion e tij, në labirint, në darkë me faraonin, në çmendinë ose në tempull. Ti e kujton ditën tjetër në gosti a në ceremoni solemne e ai është, përkundrazi, në zi, e plagët i kullojnë çurg. Përfytyrimi është një nga strehët e tij, nga e cila njerëzit kërkojnë ta nxjerrin. Rrotull tij të gjithë trokasin: ngrehu nga gjumi, Imzot, eja të të çojmë në treg, në mbledhje, në bankë. Të të vëmë kurorën, ose prangat, ose turpin. Ti u lutesh të të lënë të qetë në dremitjen tënde.
T’u shpjegosh se ndodhesh në botën tënde dhe, po të sollën në vete, ti do të vdesësh. Por atyre aq iu bën. Kurse diktatura atë do. Tani që e mori vesh se ç’ të vret më shumë, shpejton të të zgjojë sa më me zhurmë. Të të çojë në popull, në baltë. Më në fund t’ i ngrihesh. I ngathët si albatrosi i Bodlerit çapitesh midis jetës. Gjumi të ka dalë ndërkaq dhe shpirtin e ke vrer. Por prapë ke një mbrojtje që ata nuk e dinë. Ti ke një perde në sy. Kaq herë ata janë përpjekur të ta heqin atë perde. Në mënyrë që të të shastisin me pamjen e tyre të egër e të zhveshur. Të të shkurajojnë. Të të bëjnë të dorëzohesh. Por atë perde nuk ta heqin dot. Asnjë kirurg oftamolog, asnjë makinë torture s’ ka ç’ i bën dot asaj turbullire. Sepse ajo bën pjesë në trashëgiminë e gjenit: mjegullën homerike.
Diktatura dhe diktatori u përpoqën që t’ i imponojnë shkrimtarit të parë të vendit kalendarin e tyre, kohën e tyre, por nuk ia dolën dot. Vetëm për këtë gjë ai nuk bëri kompromis, por mbrojti kalendarin e tij, kohën e tij personale. Kjo mund të mos ketë qenë një gjë krejt e vetëdijshme siç e pohon me modesti shkrimtari, sepse kjo ishte pjesë e gjenit të trashëguar të shkrimtarit të madh, që nga koha e Homerit.
Ose ishe shkrimtar i madh dhe e kishe dhuntinë e kalendarit të dytë, ose nuk ishte i tillë dhe nuk e kishe këtë dhunti. Të gjitha ngjarjet e vështira të përshkruara më sipër dhe të tjera si ato, u bënë shkas që Kadareja të përpunonte deri përsosje atë që ai e quan “kalendari i dytë i shkrimtarit”, që mund të quhet ndryshe edhe si koha personale e shkrimtarit. Nuk mund të kuptohet jeta dhe krijimtaria e Kadaresë në diktaturë pa e njohur mirë këtë kalendar të dytë të tij , këtë kohë personale të tij.
Është njëlloj sikur të përpiqemi të lexojmë një tekst të koduar pa pasur kodin që nevojitet për ta zbërthyer atë. Një shkrimtar i vërtetë nuk mund të mbijetonte në diktaturë pa përpunuar një kalendar të dytë të tij. Kështu ka ndodhur që në kohët më të vjetra në botë. Por nga të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, në të gjitha kohërat, të cilët kanë krijuar një kalendar të dytë, vetëm Kadare është ai që na ka lënë një përshkrim të plotë dhe interesant të këtij fenomeni. Te “Nëntori i një kryeqyteti” Kadareja dha mesazhin se meqënëse ai nuk ia doli në përpjekjen e tij për ta futur vendin në një kurs të ri, properëndimor, pra në një kohë të re, atëherë do të hynte në kohën e tij. Në roman shkrimtari Adrian Guma vret veten, por mbi vrasjen e tij thuren disa legjenda.
Kadareja shpresonte që e gjithë kjo të lexohej e përmbysur pas vdekjes së tij, nga njerëzit e mençur. Regjimi kërkon të më vrasë dhe ta paraqitë vrasjen time si vetëvrasje, ishte mesazhi i Kadaresë me këtë roman. Domethënë, shkrimtari Ismail Kadare, në një krizë krijimtarie, vrau veten. Një tjetër mesazh i këtij romani ishte se shkrimtari po thoshte se pasi regjimi ta vriste, për vdekjen e tij do të thurte legjenda. Kadare shkruan në roman për atë që ai e quan “Legjenda e martirizimit të Adrian Gumës”.
Kadare shpresonte se pas vdekjes së tij, kur regjimi të dilte me një variant zyrtar për shkaqet e vdekjes së tij, të gjitha këto që ai kishte shkruar për Adrian Gumën do të interpretoheshin ndryshe nga njerëzit e mençur. Ata që do ta lexonin këtë fragment pas vdekjes së tij, do ta kuptonin se ato që thoshte regjimi për vdekjen e tij ishin gënjeshtra, shpresonte shkrimtari. Mos i besoni variantit zyrtar për vdekjen time, donte të thoshte Kadare me këto që kishte te “Nëntori i një kryeqyteti”. Në rastin e vdekjes së Kadaresë legjenda për Adrian Gumën do të shndërrohej menjëherë në një ridikulizim të variantit zyrtar të regjimit komunist, sikur ishin antikomunistët ata që e vranë shkrimtarin Kadare, duke i ngulur me thika mbi trupin e tij fletët e romanit të tij “Dimri i vetmisë së madhe”, ku flitej për Enver Hoxhën.
Shqetësimi i shkrimtarit për të lënë mesazhe shpjeguese për të vërtetën e vdekjes së tij të mundshme, bëhet edhe më i qartë te poezia “Laokoonti”. Kjo është në fakt një poemë e fuqishme, të cilën Kadare “pafytyrësisht”, sic thotë në rastin e romaneve që i dërgonte për botim si novela, e ka quajtur poezi, se e dinte që nëse do ta quante poemë nuk kishte asnjë mundësi që ajo të botohej ndonjëherë sa kohë ishte në fuqi regjimi komunist. Arsyeja ishte e qartë: tema e poemës ishte ajo e romanit “Përbindëshi”, që nga ana e tij ishte paraqitur për botim nga Kadareja, “pafytyrësisht” si tregim. Në poemën “Laokoonti”, të botuar në vëllimin poetik “Koha”, në 1976, Kadare e identifikon veten me Laokoontin dhe u drejtohet pas vdekjes së tij, lexuesve të tij, si atyre shqiptarë ashtu edhe atyre perëndimorë. Shkrimtari shpresonte se në rast të vdekjes së tij të papritur, kjo poezi do të lexohej ndryshe.