Në gjykimin e zyrtarëve të kolegjit “Gjilani” një punonjës i Ministrisë së Arsimit tregoi se në vitin 2008 diplomat vuloseshin me tri vula të ndryshme.
Të premtën vazhdoi gjykimi ndaj zyrtarëve të kolegjit “Gjilani” Musa Shkodra dhe Xhevat Sadiku që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Dëshminë e tij e dha Osman Shahini që në vitin 2008 ishte shef i Zyrës për Arsim të Lartë Privat dhe Aftësim Profesional në Ministrinë e Arsimit, ndërsa aktualisht mban pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Diasporës.
Pasi kryetarja e trupit gjykues Emine Salihu ua dha fjalën avokatëve të të akuzuarve, Ymer Huruglica që në këtë proces mbron Musa Shkodrën pyeti dëshmitarin Shahini nëse ka pasur ndonjë vendim nga Inspektoriati Arsimor që ia ka ndaluar punën kolegjit “Gjilani”.
“Sa e di unë, nuk ka pasur ndonjë vërejtje apo ndalim për kolegjin në fjalë, pasi ata dokumentacionin e kanë pasur në rregull,” tha dëshmitari Osmani.
Avokati Huruglica e pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë dallim nga Ministria e Arsimit në diplomat e lëshuara për institucionet e arsimit të lartë publike dhe private.
“Ka dallime në bazë të vulës me të cilën ato janë vërtetuar, pra në atë kohë kanë ekzistuar tri vula të ndryshme të vërtetimit të diplomave,” tha Osmani.
Avokati tjetër Shemsedin Pira, i cili përfaqëson të akuzuarin Xhevat Sadiku, pyeti dëshmitarin se a kanë qenë pengesë për krijim të mardhënieve të punës këto diploma të kolegjit “Gjilani” të vërtetuara sipas vulës tre.
Dëshmitari tha se diplomat e vulosura me atë vulë në shumicën e komunave janë pranuar, por ka pasur komuna që e kanë refuzuar atë diplomë.
Të pranishëm në gjykatore ishin edhe tre të dëmtuarit Arlinda Thaçi, Bukurije Musliu dhe Ilir Sabedini.
I dëmtuari Ilir Sabedini kërkoi të dijë nga dëshmitari nëse një student i pajisur me diplomën e vulosur me vulën tre, mund të marrë licencë për mësues.
“Licencimi është procesi i mëvonshëm dhe nuk kam njohuri [për të], pasi me këtë merret Inspektoriati i Arsimit,” u përgjigj dëshmitari.
Në fund të seancës avokatët i propozuan gjykatës që si dëshmitarë të ftohen edhe disa studentë, e po ashtu të kryhet një ekzaminim financiar.
Trupi gjykues vendosi t’i refuzojë këto propozime.
Musa Shkodra dhe Xhevat Sadiku akuzohen nga Prokuroria Themelore në Gjilan se gjatë periudhës 2006/2007 e tutje në cilësi të personave zyrtarë, bashkëpronarë të kolegjit “Gjilani” në bashkëveprim kanë bërë shpërdorim të detyrës zyrtare.
Ata, sipas aktakuzës, pa pasur akreditim për programin mësimor fillor dhe parafillor me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë regjistruar 112 studentë dhe në mënyrë të kundërligjshme në emër të pagesave kanë marrë 283.000 euro.
Seanca e radhës do të mbahet më 9 dhjetor.