Udhëheqësit turq dhe ata europianë kanë arritur një marrëveshje në tentim për të kontrolluar fluksin e emigrantëve në kontinetin e vjetër. Turqia do të ketë përfitime ekonomike dhe politike me kushtin që ajo të forcojë sigurinë në pikat kufirtare si dhe të lejoje refugjatët që të qëndrojnë në këtë vend.
Në aspektin ekonomik, Turqia do të përfitojë 3 miliardë euro, ndërsa në atë politike, bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Europian do të “ringjallen”.
Po ashtu, shtetasit turq nga tetori i vitit të ardhshëm do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen, që i lejon të lëvizin në shumë shtete europiane.
Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu tha se është “ditë historike” sa i përket marrëdhënieve mes shtetit të tij dhe Bashkimi Europian.
“Ne po paguajmë faturën e dështimit të OKB-së për moszgjidhjen e krizës sirianë në fazat e para”, tha Davutoglu. Më shumë se 720 mijë emigrantë kanë mbërritur në brigjet greke këtë vit, shumica e të cilëve vijnë nga Turqia.
Përfitimet Turqia do t’i gëzojë vetëm në rast se arrin të kryejë detyrat e saj, ndërsa disa deputetë europianë kanë shprehur shqetësimin në lidhje me respektimin e ligjit dhe demokracinë.
Alarmi është dhënë pasi redaktori i një gazete kryesore të qendrës ë majtë në Turqi u arrestua gjatë javës pasi botoi një artikull që Presidenti Erdogan nuk e pëlqeu.
Ai më pas shkroi një letër të hapur udhëheqësve të BE-së që të mos mbivendosë krizën e refugjatëve para respektimit të të drejtave të njeriut në Turqi.